Kërko

1342, Jan Kantakuzeni

Një faqe nga dorëshkrimi i Kantakuzenit ku përmendet Prishtina. Burimi: Biblioteca Medicea Laurenziana.

Ardhja e Jan Kantakuzenit në Prishtinë

Me të marë vesh Perandori se Krali (Κράλην) dhe gruaja e tij po e prisnin, i përshëndeti dhe shprehu gëzim të madh prej miku. Mori rrugë nga Shkupi, arriti në një rajon të caktuar, i cili për bukurinë e tij quhet Paun(?) dhe aty pranë një fshati të pafortifikuar të quajtur Prishtinë (Πρίστηνον), takoi Kralin, që erdhi me gruan e tij. Këta e pritën perandorin me gjithë vëmendjen dhe respektin e mundshëm. Vetë ishin shumë të kënaqur me vizitën që po u bëhej ndaj u gëzuan që u ishte bërë një nder kaq i madh. Prandaj Krali e linte [Jan Kantakuzenin] përherë në ballë dhe, si më të respektuar, ia ofronte vendet kryesore; në gosti i jepnin një vend më të mirë e më të lartë dhe në udhëtime dhe në të gjitha rastet e tjera e vendosnin para vetes.

Është një traditë e lashtë mes triballëve, që kur vjen ndonjë bujar i fuqishëm te Krali pas një kohe të gjatë, para se të këmbejnë përshëndetjet e para të dy zbresin nga kuajt e tyre: dhe së pari përkulen pranë njëri tjetrit, dhe më pas puthen në gojë apo në buzë. Kurse në takimin e dytë më nuk zbrisin nga kuajt, por përshëndeten prej aty. Këtë zakon e kishin ruajtur ende: por me perandorin triballët deshën të përdornin venomat romane, dhe kurdo që takoheshin, zbrisnin nga kuajt e tyre dhe afroheshin në këmbë, duke ia puthur gjurin; Gjithsesi, duke ndjekur këto rregulla të pranuara, ai [Krali] zbriste nga kali për ta përshëndetur, kurse Perandori e përshëndeste atë që po afrohej duke qëndruar në kalin e tij. Sa here që hynte në pallatin e Kralit (e aty hynte gati çdo ditë — sepse nuk dëshironte të qëndronte [gjatë] në tendën e tij, edhe pse ajo ishte me të gjitha të mirat — dhe kalonin kohë me biseda të këndshme), urdhëroi të rinj të nderit bujar ta prisnin para portave; dhe brenda oborrit përshëndeste pleqtë dhe ata që përmbushnin detyrat e tyre, të cilët kishin dalur ta prisnin në hyrje të shtëpisë, kurse Perandori i përshëndeste nga kali i tij ata që i afroheshin. As Kralica nuk e nderonte diçka më pak, duke mos lënë mangut asgjë që bënte burri saj. Dhe kështu silleshin sa herë që Perandori qëndronte me ta, sidomos në ditët e para të arritjes së tij, dhe kur për shumë ditë zotëruesi i triballëve mjaftueshëm kishte shprehur admirimin drejt tij [Perandorit], përmes mirësjelljeve dhe miqësisë, e pyeti më në fund atë për arsyet e ardhjes, dhe çka dëshironte prej tij.

Burimi: Kantakuzeni, Jan (1831). Corpus Scriptorum Historiae Byzantinae. Vol. II. Bon: Impensis Ed. Weberi, f. 261–263 (Në greqisht dhe latinisht). Barišić F. / Ferjaničić B. (1987). Византијски извори зa историју народа Југославије, Vol. 6. Beograd: SANU, f. 386–387 (Në serbisht). Një pjesë e këtij teksti është përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga Koço Bizhori dhe Filip Liço në vitin 1975, por ai është shumë më i shkurtë. Khs. Bizhori, Koço / Liço, Filip (1975). Burime tregimtare Bizantine për historinë e Shqipërisë: shek. X–XV. Tiranë: Instituti i Historisë. f. 230. Dokumenti origjinal: Biblioteca Medicea Laurenziana, Laurentianus IX, 9.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1342, Jan Kantakuzeni, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 12.11.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/12/1342-jan-kantakuzeni