Kërko

1673, Edward Brown

Një nga faqet ku përmendet Prishtina në veprën e E. Brown.

A Brief Account of Some Travels in Divers Parts of Europe

Ne vazhduam për në Prestinë [Prishtinë], një qytet i mirë dhe ku prisnim akomodim të mirë; por, mbasi hymë në një dhomë të mirë, gjetëm një burrë të shtrirë në të, të sëmurë nga murtaja. Kështu u konsultuam me sigurinë tonë dhe qëndruam shkurt; dhe duke pasur një rom për udhërrëfyes, ne udhëtuam nëpër një vend të banuar pak, por të frytshëm dhe të këndshëm dhe u freskuam shumë me kornelina të bukura, të cilat rriteshin me bollëk në rrugë: kaluam edhe afër një banje të nxehtë, pak në të djathtë. Banja qe një dhomë me hark e ndërtuar mirë dhe shumë freskuese për udhëtarët. Ka një sediment të kuq dhe është e ngopur me succus lapidescens dhe që e bën gurin ngjyrë hiri. [...]

Nuk ishte ngushëllim i vogël për ne, të gjenim vendin krejt pa murtajë, të cilën në fakt e ndeshëm vetëm në Prestinë, një qytet i madh, në një pjesë të Rrafshit të Kosovës; kur erdhëm në atë vend, u argëtuam në një shtëpi shumë të mirë dhe u sollëm në një dhomë të madhe, e akomoduar mirë me tepihë dhe stoli të tjera; aty gjetëm një turk të shtrirë të sëmurë nga murtaja. Kaurëve, sipas stilit turk, nuk ju dukej punë e madhe; por disa të tjerë nuk ishin aq të kënaqur; dhe për këtë arsye ne u larguam dhe udhëtuam natën, derisa arritëm në një shtëpi romësh midis kodrave, ku gjetëm strehë të mirë.

Turqit ishin shumë të kënaqur kur më shihnin të shkruaja; kur hyja në ndonjë shtëpi, nxirrja librin tim të letrës, për të shënuar ato gjëra që kisha vënë re; kur e shihnin këtë gjë, më vinin të gjithë përreth, duke e shikuar letrën dhe lidhjen e librit, e duke u habitur kur më shihnin të shkruaj kaq shpejt dhe me një stilolaps të tillë, i cili ishte bërë nga pendla e patës; këta [turqit] zakonisht shkruajnë me një kallam të fortë, të prerë si stilolapsët tanë. Shumë prej tyre mbajnë rreth vetes një bojë të bukur prej bronzi, të cilën e varin anash; boja e tyre është e mirë, letra e lëmuar dhe e lehtë; përmes cilave ata shkruajnë shumë drejtë, siç dëshmohet përmes [fletores] Kalimit të Sulltanëve, që e solla me vete në shtëpi.

Burimi: Brown, Edward (1673). A Brief Account of Some Travels. Londër: T.R.. f. 49, 78. Libër i shtypur.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1673, Edward Brown, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 27.07.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/35/1673-edward-brown