Kërko

1689, Gjon Bogdani

Letra e Gjon Bogdanit nga Prishtina, e botuar në formë të transliteruar nga O. Marquet në vitin 1997.

Letër nga Prishtina drejtuar Kongregatës së Shejtë të Propaganda Fides

[Duke folur për Pjetër Bogdanin] Pasi doli me urdhër suprem përpara gjykatës së shenjtë, fitoi gjithçka sipas dëshirës së vet. S’andejmi, pasi iu njoh drejtësia, si shpërblim u zgjodh ipeshkëv i Shkodrës dhe, duke u paraqitur, si e lyp zakoni, përpara Papës së kohës, Aleksandri VII, u quajt mirësisht prej tij Mësuesi ynë; duke iu dhënë më pas i gjithi drejtimit të kishës së Shkodrës dhe u ngarkua nga Kongregata e Shenjtë me administrimin e Arkipeshkvisë së Tivarit me shumë dobi, me zell, me syçeltësi dhe duke predikuar Fjalën e Hyjit, gjë që i shkaktoi shqetësime të pafundme dhe persekutime të mëdha nga turqit, sikurse u kushton e gjitha më së miri shkëlqesive tuaja dhe nga ana tjetër, për shkak të të vetave që pësoi, i dukej pak që ishte në dhimbje hyjnore për të ndriçuar Shqipërinë me t’atillë dritë; por deshi që me rrezet e doktrinës së vet të ndriçonte edhe Serbinë pasi shkëlqesitë tuaja e caktuan arkipeshkëv të Shkupit dhe administrator të mbarë kësaj mbretërie, në të cilën lumturisht u mundua për 12 vjet në drejtimin e saj në kohën më kobzezë që mund të ekzistojë e megjithatë nuk u tërhoq kurrë nga drejtimi i grigjës së vet dhe s’u tërhoq pavarësisht një mijë rreziqeve duke i ngushëlluar me ushqimin e Fjalës së Hyjit.
Në fund me ardhjen nga këto anë të ushtrisë fitimtare të Cezarit tonë, i shkoi personalisht në takim për të shtypur krenarinë e trupës që të mos shtyheshin në dëme dhe keqbërje ndaj katolikëve, dhe lumturisht ia doli plotësisht.
Pastaj, si u kthye në Prizren, atdheun e vet, me fort të shkëlqyeshmin general Piccolominin për të marrë pak frymë, ky kalorës trim ra në shtrat prej murtajës, pranë të cilit duke qëndruar në nevojën e fundit të shpirtit të tij Imzoti i lartpërmendur, mori edhe ai lëngjet murtajësjellëse për shkak të të cilave i mbërthyer në shtrat në kufijtë e armikut dhe në shqetësimin e mbarë vendit, sa për shkak të vdekjes në qytetin e lartpërmendur të gjeneralit fort të shkëlqyeshëm Piccolomini, aq edhe për shkak të sëmundjes, u këshillua nga krerët e tjerë të luftës ashtu i sëmurë siç gjendej të strehohej në Prishtinë si vend më i sigurt dhe më i rehatshëm mjekësh gjermanë.

Pasi mbërriti në Prishtinë u prit me dashuri të madhe nga të gjithë kontët dhe krerët fort të shquar të luftës, ku pas jo më shumë se pesë ditëve prejse u sëmur, më 6 dhjetor, në orët e mëngjesit, ia dorëzoi shpirtin Zotit i përforcuar me të gjitha sakramentet e shenjta dhe i ndihmuar nga i përndershmi Atë Francesk Ksaver Coffleri, i Shoqërisë së Jezusit dhe nga pjesa më e madhe e klerit të tij.
Kufoma e tij u vendos në Xhaminë Perandorake të këtij vendi, e kthyer në kishë të re kushtuar Shën Francesk Ksaverit, në anën e djathtë të altarit të madh me madhështinë dhe gjëmën më të madhe.
E madhe është dhimbja e mbarë klerit dhe e këtij Krishtërimi të vuajtur për humbjen e një bariu kaq të zellshëm, të zymta ndjesitë që ka shkaktuar humbja e tij në shpirtrat e mbarë kësaj ushtrie cezariane.

Burimi: Dokument origjinal nga arkivi i Propaganda Fides në Romë, APF SOCG, vol. 506 ff° 251r-252r (Përkthimi: Stefan Paloka).

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1689, Gjon Bogdani, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 12.11.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/37/1689-gjon-bogdani