Kërko

1781, Nikola Mikovic

Prishtina në një hartë nga Franz Johann Joseph von Reilly të vitit 1790.

Fragment nga një letër dërguar prej Prizrenit në Venedik për murtajën që ka rënë në Prishtinë nga një tregtar prej Shkupit

Më 29. [nëntor] erdha në Prizren dhe shkova te miku im Haxhi Stosha në konak. Të njejtën ditë e pyeta zotin Haxhi Stosha çka po flitet për sëmundjen, ku është dhe si. Ai më tregoi krejt çka dinte. Në Prizren, as Shkup, as Sofje e as Selanik nuk ka sëmundje, por në Shkup e Sofje e Selanik kishte pasur, por tash më s’ka, kurse në Prishtinë është ende, në Prishtinë e ka sjellur një tregtar turk; prej Shkupit kishte ardhur në han ku ishte sëmurë dhe vdekur. Pas tij ishte infektuar i tërë hani dhe kishin vdekur të gjithë në të njëjtën ditë, dhe qysh turqit s’dinë të kujdesen, i tërë vendi është infektuar, dhe kështu kanë qëndruar rreth kryqëve(?) — në ditë kanë vdekur nga njëzet e tridhjet e deri në pesëdhjetë vetë kanë vdekur. Kështu kishin ikur turqit [shqiptarë muslimanë] në fshatrat përreth. Në Prishtinë s’kishin mbetur më shumë se nëntëdhjetë familje, të cilat nuk donin të iknin për shkak të besimit; dhe kështu prej atyre nëntëdhjetë familjeve pak kush ka mbijetuar, por të gjithë kanë vdekur edhe ata që kanë ikur nëpër fshatra të infektuar kanë qenë dhe shumë prej tyre kanë vdekur, dhe vdesin edhe tash në fshatrat ku kanë ikur nga pesë, nga gjashtë e nga dhjetë në ditë; ndonjë ditë më shumë e ndonjë më pak.

Burimi: Mijušković, Slavko (1971). Pojava kuge u Prištini 1781 godine i reagovanje sanitetskih vlasi u Boki, Zadru i Veneciji. Në Vjetari, Prishtinë (2–3), f. 109–20. Burimi origjinal: Državni Arhiv u Kotru (DAK), UP, fasc. 108, f. 531, 569a. (Përkthimi: Yll Rugova.)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1781, Nikola Mikovic, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 04.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/47/1781-nikola-mikovic