Kërko

1836, Jashar Pasha

Faksimil i dy faqeve të vakufnamesë së Jashar Pashë Gjinollit, që ndodhet sot në kopjen origjinale në Stamboll. Burimi: B. Neziri.

Vakëfnameja e Jashar Pashë Gjinollit nga arkivat osmane

Brenda në qytetin e Prishtinës, afër Sahatit, kam rindërtuar dhe ringjallur një xhami të bekuar, një faltore madhështore për hir të Zotit të Madhërishëm, për të arritur kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, dhe kam rregulluar pagat për imamin, hatibin, vaizin, myezinët dhe shërbyesit e tjerë të kësaj xhamie nga të ardhura e vakëfeve që i kam lënë. Nga pasuria ime kam lënë vakëf dyqane dhe një bezistan që janë në çarshinë e qytetit në fjalë si dhe hane, mullinj e toka që janë në kazanë e Prishtinës, emrat dhe vendndodhjet e të cilave janë shkruar dhe sqaruar në mënyrë të hollësishme një nga një. Në dashtë Zoti i Madhërishëm! 15 M 1252 (02.05.1836).

Unë kam blerë prej pronarëve të tij me dokumente dhe kam futur në pronësinë time një bezistan që njihet me emrin “Bezistani i Shkodrës”, dhe ka qenë pronë e trashëgimtarëve të të ndjerit Ibrahim Efendiut. Ky bezistan dhe objekte tjera kanë qenë në truallin që e ka lënë vakëf bamirësi Haxhi Abdylfetah Beu, që nga e kaluara, duke kushtëzuar që të ardhurat e këtij trualli të përdoren për ndezjen e 12 kandilave në mesxhidin e bekuar Çeribash (Buzagi), i cili është në Prishtinë. Pas blerjes së këtij bezistanit i kam rrënuar të gjitha objektet nga themelet dhe, me lejen e mytevelisë, kam ndërtuar 12 dyqane nga themeli. Prej këtyre dyqaneve njërin në qosh, nga pjesa e Hanit, që është furrë buke ia kam dhënë Sakip Beut, si shkëmbim. Pra, në vendin ku e kam ndërtuar shatërvanin, në pjesën e parme të xhamisë në fjalë, ka qenë furra e bukës e Sakip Beut. Kështu që, me personin në fjalë i kemi ndërruar dyqanet. Tani dyqani në qosh, ku është furra e bukës, është pronë e Sakip Beut. Përveç këtij dyqani i kam bërë vakëf edhe 16 dyqane përreth, dhe e kam përcaktuar administrimin e tyre. Po ashtu e kam vazhduar kushtin që nga të ardhurat e truallit në fjalë të ndizen 12 kandila në murin e mesxhidit të bekuar Çeribash. Mytevelia, si administrues, nga pjesa e mbetur e të ardhurave nga qiratë e dyqaneve në fjalë, myezinit të parë t’i jep 225 groshë në vit, kurse salakënduesit 75 groshë në vit. Gjithashtu e kam blerë me dokumente dhe e kam futur në pronësinë time hisen prej 1/3 e djemve të të ndjerit Mulla Belulit nga Prishtina, në mullirin në afërsi të Prishtinës. Kurse pjesa tjetër, prej 2/3 të këtij mulliri, që nga e kaluara është vakëf i çezmës së bamirësit, të ndjerit Divan Efendiut.

Më pas Lutfullah Efendiu, myteveli i vakëfeve të të ndjerit Divan Efendiut dhe nip i tij, në mungesë të fuqisë për të mirëmbajtur çezmën dhe vakëfet në fjalë, si dhe për të rinovuar mullirin, me vullnet të vet ka hequr dorë nga administrimi i tyre dhe ka lejuar që mulliri në fjalë të rinovohet. Në bazë të kësaj mullirin në fjalë e kam rrënuar nga themelet dhe kam ndërtuar me gur një mulli më të madh me tre gurë. Përsëri e kam bërë kusht që 2/3 e mullirit t’i takojë çezmës dhe vakëfeve të Divan Efendiut, kurse hisen time prej 1/3 e kam bërë vakëf. Nga të ardhurat e mullirit në fjalë 9 kejl miell gruri t’i jepen myezinit të parë të xhamisë dhe 3 kejl salakënduesit. Në bazë të kushtit tim për mullirin në fjalë, mytevelia është administrues i tij. Në rast nevoje të shpenzohen të ardhura për renovimin e çezmës në fjalë dhe për pastrimin e kanaleve të ujit. Atij që është myezin i parë t’i jepen 9 kejl miell gruri, kurse salakënduesit 3 kejl miell gruri.

Hamami në Prishtinë, ngjitur me Xhaminë e Vogël, është nga vakëfet e Xhamisë në Kaçanik, të cilën e ka ndërtuar më parë i ndjeri Sinan Pasha. Por, ky hamam qe 50–60 vjet është jashtë përdorimit dhe në këtë gjendje nuk është duke i sjellë asnjë dobi vakëfit. Unë kam marrë leje nga mytevelia i hamamit, i cili jeton në Shkup, dhe në vend të hamamit kam ndërtuar një bezistan të ri prej druri. Për çdo dyqan kam vendosur 20 pare 25 qira dhe e kam bërë kusht që çdo vit, me leje të mytevelisë, t’i jepen vakëfit. Të gjitha dyqanet dhe stolat që janë brenda dhe jashtë bezistanit në fjalë i kam bërë vakëf. Të ardhurat nga dyqanet pa qepena brenda bezistanit kam bërë kusht që të përdoren për meremetimin dhe renovimin e xhamisë në fjalë. Kurse prej të ardhurave të dyqaneve në pjesën e jashtme të bezistanit, pra prej të ardhurave të 16 dyqaneve që janë radhë-radhë nga qoshja e ..... e deri te kafja kam bërë kusht që të paguhen myezini i dytë, sermahfili dhe salakënduesi i xhamisë në fjalë. Pra, e kam bërë kusht që administrues i të ardhurave të dyqaneve në fjalë të jetë mytevelia dhe nga këto të ardhura të paguhet paga e myezinit të dytë në vlerë 225 groshë që arrihet duke mbledhur mëditjet në vlerë 75 akçe dhe më pas shuma e arritur vjetore prej 27000 akçesh llogaritet në grosh, si dhe pagat e sermahfilit dhe lajmëtarit në vlerë 75 groshë që arrihen duke mbledhë mëditjet në vlerë 25 akçe dhe më pas shuma e arritur vjetore prej 9000 akçesh llogaritet në grosh. Kështu që, kam bërë kusht që myezinit të dytë të xhamisë në fjalë t’i jepen 225 groshë në vit, kurse sermahfilit dhe lajmëtarit nga 75 groshë në vit. [...]

Ashtu, siç u cek në faqet më lart, në kapitullin e dyqaneve të caktuara për pagat e kandilndezësit dhe të kujdestarit të xhamisë [së Çarshisë], kam lënë vakëf 17 dyqane pa qepena për panair në bezistanin që e kam rindërtuar nga e para, dhe e kam bërë kusht që të ardhurat e tyre të caktohen për renovimin dhe meremetimin e shatërvanit që rrjedh para xhamisë në fjalë. Gjithashtu e kam lënë vakëf edhe një mulli me pesë gur në fshatin Grabovc dhe e kam bërë kusht që të ardhurat e tij të përdoren për renovimin në fjalë. Pra, të ardhurat e 17 dyqaneve në fjalë dhe të mullirit në Grabovc i kam bërë kusht që të shpenzohen për renovim të shatërvanit. Në bazë të kushtit tim, mytevellija i administron këto dhe kur është nevoja ta rinovojë shatërvanin dhe t’i pastrojë kanalet e tij si dhe t’i rinovojë tualetet që janë afër xhamisë. [...]

Më lart, në kapitullin mbi mbulimin e pagave të myezinit të dytë dhe të sermahfilit, kemi cekur se kam ndërtuar nga e para një bezistan në vend të hamamit në gjendje të pashfrytëzuar në afërsi të Xhamisë së Vogël, i cili është nga vakëfet e të ndjerit Sinan Pasha. Dyqanet pa qepena në këtë bezistan dhe një mulli në vendin e quajtur Vekuka i kam lënë vakëf dhe kam bërë kusht që të ardhurat e tyre të shpenzohen për renovimin e xhamisë, hasra dhe orenditë e tjera si dhe për të gjitha sendet tjera të nevojshme. [...]

(21.06.1836) Xhaxhai im Maliq Pasha më parë, në vitin 1227 (1812) prej dyqaneve të reja në Prishtinë i ka lënë vakëf përgjithmonë thertoret afër çezmës që e ka ndërtuar dhe në mes tyre pesë dyqane, dhomat dhe depot e tyre që janë nën një çati si dhe një mulli me tre gurë që e ka ndërtuar afër Katërdhjetë Plepave (Kırk Kavak), në pjesën e poshtme të qytetit dhe më ka caktuar mua myteveli me dokumente. Në të njëjtën kohë i ka sqaruar edhe kushtet. [...]

Xhaxhai im (Maliq Pasha) më parë, në vitin 1229 (1814) e ka lënë vakëf përgjithmonë një mulli me tre gurë, i ndërtuar prej guri, në vendin e njohur mbi lumin Nerodime, çifligun Borbaveshtinë në fshatin Pleshinë dhe Prelez si dhe një mulli prej guri që bluan me tre gurë mbi lumin Graçanicë në Suteskë dhe më ka caktuar mua mytevelli. Më pas e ka bërë kusht me shkrim që administrimi të kalojë të pasardhësit e mi. Në të njëjtën kohë i ka sqaruar edhe kushtet. Nga të ardhurat vjetore të mullirit në fjalë mbi lumin Nerodime të ndahen për myderrizin e medresesë në Prishtinë, që quhet Jeni Medrese, nga 200 akçe në ditë e që shuma vjetore gjithsej është 600 groshë si dhe për bibliotekarin 33 akçe në ditë e që shuma vjetore gjithsej është 99 groshë. Kurse nga të ardhurat e mullirit në Suteskë dhe të çifligjeve në fshatin Pleshinë dhe Prelez e kam bërë kusht që atij që është myderriz në medresesë në fjalë t’i jepet tri kijje bukë në ditë, kurse talebeve që banojnë në këtë medrese nga një kijje bukë. Me ndihmën e Zotit të Lartmadhërishëm, deri më tani, në bazë të kushteve të të ndjerit në fjalë, myderrizit të medresesë në fjalë jam duke ia dhënë tri kijje bukë në ditë, kurse talebeve nga një kijje bukë.

Burimi: Neziri, Besir (2020). Vakëfnamja e Jashar Pashë Gjinollit. Në Edukata Islame, Prishtinë 1 (122), f. 78–79. Dokumenti origjinal: Stamboll, BOA, EV.VKF., 25/8. (Përkthimi: Besir Neziri.)

Si të citohet
Yll Rugova (2024), 1836, Jashar Pasha, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 04.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/55/1836-jashar-pasha