Kërko

1858, Georg von Hahn

Një nga faqet e librit të Hahn ku flitet edhe për Prishtinën. Fotografi nga Bayerische Staatsbibliothek.

Udhëtim në Dardaninë e Shqipërisë

Prishtina
Nga Manastiri për një orë e gjysmë mbëritëm në qytetin e Prishtinës, i cili ndodhet në drejtimin veri-veriperëndim. Për të arritur këtu kaluam një copë rrugë disa lugina dhe vargmale kodrash. Qyteti nuk ndodhet as në fushë e as buzë saj, por në një luginë anësore në pikën ku ndahet në dysh. Aty ku rrjedh një përrua që zbret nga dy luginat e sipërme dhe bashkohet atje. Sipas llogaritjeve të mia, qyteti ka një lartësi prej 1776 këmbësh mbi nivelin e detit. I ka dymbëdhjetë minare dhe një kullë sahati që ngrihen mbi masën e shtëpive. Prishtina (nga sllavishtja prišt ‘vlim, puçër’) është vendi kryesor i stërvitjeve ushtarake, pas Manastirit, për tërë gjysmën perëndimore të gadishullit. Ajo u zgjodh pa dyshim për vendndodhjen e saj strategjike ushtarake, duke qenë midis shqiptarëve të sertë dardanë dhe gegë dhe në afërsi të pellgut të Novi Pazarit që përbën të vetmen lidhje midis Bosnjës dhe pjesës tjetër të perandorisë, një rajon ku serbët shpeshherë depërtojnë për të “shtrënguar duart” me malazezët. Për këtë arsye, qyteti është i mbushur me ushtarë që mbajnë të gjitha llojet e armëve; megjithëse nuk është qendër administrative, por i përket pashait të Prizrenit dhe është selia e një mudiri të thjeshtë. Zyrtari aktual që mban këtë detyrë është një burrë i vogël, i moshuar, i cili na kushtoi shumë vëmendje, por ne nuk ramë në kontakt me autoritetet ushtarake.

Të nesërmen në mëngjes (1 nëntor), gjithçka ishte e mbuluar me të bardhë pasi një pëllëmbë dëbore kishte rënë gjatë natës. Dimri kishte mbërritur në këtë pllajë të lartë dhe, siç më informuan vendasit, zakonisht ishte i ashpër pas shfaqjes së tij fillestare. Prandaj pritej më shumë mot i keq. Qesh i detyruar të ndryshoja planin tim fillestar për të vazhduar deri në malet dardane dhe mendova se ishte më mirë të kthehesha në klimat jugore dhe ato të ulëta sa më shpejt që të ishte e mundur. Kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e kryetarit [mudirit]. Dhomat e zymta nuk ishin aspak të tilla që të më dispononin. Gjithsesi ishte një qëndrim interesant, sepse nëna e mudirit më tha se udhëtarët evropianë arrinin rrallë atje. Të fundit që mund t’i kujtonte ishin dy të rinj francezë që kishin qëndruar atje tetëmbëdhjetë vjet më parë, kur burri i saj, udhëheqësi i qytetit, ishte ende gjallë. Kur ia përmenda emrat Boué dhe Viquesnel, ajo mund të kujtonte vetëm të parët, por përshkrimi i tyre ishte i saktë. Kjo ishte e vetmja gjurmë e burrave që gjetëm, të cilëve historia u detyrohet përshkrimin e parë të detajuar të këtyre vendeve. Deri në çfarë mase këto troje kanë qenë të panjohura para tyre dhe në të vërtetë janë ende, mund të shihet në veprat që ata lanë pas. Sa të parëndësishme janë, asgjë për t’u ruajtur për pasardhësit!

Burimi: Hahn, Johann Georg von (1868). Reise von Belgrad nach Salonik, nebst vier Abhandlungen zur alten Geschichte des Morawagebietes. Denkschrift der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften, phil.-hist. Classe. 1, II. Abteilung. Vjenë: Tendler, p. 112–128. Material i shtypur. (Përkthimi nga gjermanishtja Robert Elsie; Në shqip: Yll Rugova).

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1858, Georg von Hahn, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 04.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/58/1858-georg-von-hahn