Kërko

1860, Anonim

Anëshkrim “Sherh Rahati al-kulub” nga Arkivi i Kosovës

Autor i veprès “Sherh Rahati al-kulub” është Pir Muhamed efendiu, një nga dijetarët më të mëdhenjë të kasabasë së Prishtinës, i cili veprën e shkroi në vitin 967/1559. Këtë vepër gjatë kohës së luftës që zhvillohej ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Iranit, në afërsi të kështjellës së Mardinit në krahinën e Dijarbekrit [Anadoll - Turqi S. M.] e kopjoi personaliteti dhe dijetari i njohur, bashkëkohaniku i Pir Muhamed efendiut dhe pjesëmarrësi në ushtrinë perandorake, Ahmed efendiu, i cili kur qe kthyer në atdheun e tij në Prishtinë, së bashku me autorin, pra në të gjallë të autorit, e krahasoi dhe e korrigjoi kopjen e tij me kopjen e origjinalit që e kishte autori i veprës. Pas krahasimit, Ahmed efendiu ia dhuroi autorit në fjalë këtë kopje, kurse autori (këtë kopje) e la vakëf dhe për muteveli (mbikëyrës) të saj caktoi imamin e mëhallës së xhamisë së Vogël në Prishtinë, të cilit ia dorëzoi librin, me kusht që libri nuk mund të nxirrej jashtë qytetit të Prishtinës. Mirëpo, gjatë kohës së okupimit të qytetit të Prishtinës nga ushtria austriake [1689–1690 S. M.], shumica e popullsisë qe shpërngulur në Strumicë dhe në Serez, dhe me vete kishte marrë edhe librin, i cili për një kohë mbeti në Serez. Mirëpo, në vitin 1260/1844 me angazhimin dhe me ndërmjetësimin e tregtarëve të Prishtinës, ky libër u rikthye në Prishtinë. Kurse në vitin 1277/1860 u dorëzua dhe u (ri)vakëfnua në bibliotekën e Medresesë [të Prishtinës - S. M.].

Burimi: Mehmeti, Sadik (2004). “Sherh Rahati al-Kulub” e pir Muhamed Efendiut. Në Vjetari, Prishtinë, f. 497–501; Një skanim të faqes, dhe një version të parafrazuar të këtij fragmenti e kemi pranuar edhe nga Agron Islami, të cilin e falënderojmë. Dokumenti origjinal: Biblioteka e Arkivit të Kosovës, Nr. inventarit 47. (Përkthimi: Sadik Mehmeti)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1860, Anonim, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 04.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/59/1860-anonim