Kërko

1871–1898, Todor Stankoviq

Riprodhim i një faqeje nga libri i Stankovic, ku flitet për Prishtinën.

Shënime dhe kujtime nga qyteti i Prishtinës

Prishtina shtrihet në fundin e Kosovës në një rrafshinë. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 1898 i ka gjithsej 3690 shtëpi, prej të cilave 2190 janë muhamedanë, 440 serbë dhe 60 hebrej. Osmanlinj (të ardhur prej Azisë) si familje nuk ka. Të gjithë muhamedanët janë shqiptarë nga fshatrat, e ka edhe gjakovarë e muhaxherë nga Serbia. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 1898 në Prishtinë janë 12375 banorë, prej të cilëve 9901 muhamedanë, 2170 serbë të besimit ortodoks dhe 305 hebrej. Në rrethin e Prishtinës janë 247 fshatra, 8028 shtëpi me 56286 banorë në tërësi, prej të cilëve 42756 muhamedanë, 11897 serbë ortodoksë dhe 1631 serbë katolikë. Sipas statistikave turke të vitit 1889 të shtypura në Prishtinë, në Prishtinë në atë kohë ishin 10638 banorë, prej të cilëve 8365 muhamedanë dhe të tjerët serbë ortodoksë dhe hebrej. Unë dyshoj në saktësinë e të dhënave turke, veçanërisht për numrin e banorëve, sepse ata ende s’kanë bërë regjistrime të sakta në pjesët e banuara me shqiptarë, sepse shqiptarëve në veçanti ankohen dhe kundërshtojnë regjistrimin e grave.

Për të dëshmuar këtë pasakëtsi, po e sjell si shembull që në statistikat e shtypura në Prizren më 1873, thuhet se në Prishtinë janë 1564 shtëpi me 13435 banorë të besimit turk dhe 5875 banorë të besimeve të tjera. Atëhere si është e mundur që në vitin 1889, vetëm pas 16 vjetësh, në Prishtinë të dalin 5070 muhamedanë më pak, kurse në vitin 1898 gati më shumë se dy mijë shtëpi, kur dihet se muhamedanët e Prishtinës nuk janë zhvendosur, por vendosur aty. Sipas llogaritjes sime, në Prishtinë janë rreth 3600 shtëpi me gjithsesj 16,000 banorë, prej të cilëve mund të themi 13,000 muhamedanë, e 2700 serbë ortodoksë dhe 300 hebrej. Qysh para 30 vjetësh njësoj si tash në Prishtinë ka dallim të madh në gjendjen e serbëve. Para 30 vjetësh serbët në Prishtinë ishin më të pasur. Krejt tregu në atë kohë ishte në duart e tyre. Mallrat koloniale i sillnin prej Beogradit ose Peshtës, aty ku turqit nuk shkonin me qejf, e që edhe ashtu s’dinin gjë për tregtimin. Disa [turq] jetojnë prej të ardhurave të çifligjeve të veta, kurse të tjerë më të varfër shesin duhan dhe llulla. Prej zanateve para 30 vjetësh turqit kanë punuar vetëm si berberë, saraç, kasapë, nallbanë e tabakë, kurse esnafët e tyre, përveç atij të kasapëve, ishin të privilegjuar vetëm për muhamedanët. I tërë tregu dhe zanatet tjera ishin të rezervuara për serbët.

Para 30 vjetësh, në ditët e pazarit, në Prishtinë ka mbizotëruar gjuha serbe, sepse serbët e Kosovës nuk ishin shpërngulur shumë, siç ishin shpërngulur pas luftës serbo-turke të viteve 1876, 1877 dhe 1878. Tash ndëgjohet më shumë gjuha shqipe se ajo serbe. Një, pra, kjo që numri i serbëve është zvogluar në Kosovë, ka ndikuar që edhe në Prishtinë të jenë më pak, e dyta edhe që hekurudha e re e ka afruar Prishtinën me Selanik, ka ndikuar që edhe turqit të mësojnë tregtinë, e sidomos pas ardhjes së muhaxherëve nga Nishi dhe Leskovci, të cilët për nga tregtia dallojnë shumë prej turqëve prishtinas; sepse muhaxherët vlejnë më shumë si sipërmarrës për dallim prej turqëve të Prishtinës. [...]

Që turqit [shqiptarët muslimanë] në Prishtinë para 30 vjetësh s’kishin lidhje me tregëtinë flet fakti që në vitin 1873, kur përmes Kosovës ka kaluar hekurudha, ishin revoltuar kundër saj dhe s’kishin lejuar të kalojë pranë Prishtinës, prandaj stacioni i Trenit për këtë [qytet], më të madhin në Kosovë, është i zhvendosur nja 8–9 kilometra larg. Tash janë vetëdijësuar turqit, dhe qysh më 8 janar 1892, në kohën e mutesarifit Bahri Pashës, kanë mbajtur konferencë në Prishtinë, ku janë pajtuar të lusin përgjegjësit që në Prishtinë të ndërtohet hekurudha, për të cilën banorët do ta ngrisin vetë ata — prishtinasit — me financat e veta, por për këtë s’kanë pasur sukses. [...]

Muhamedatën kanë rreth 15 xhami të vjetra dhe të reja, prej të cilave disa dikur ishin kisha. I kanë disa shkolla fillore dhe një ruzhdije — gjysëm gjimnaz. I famshmi Jashar Pashë Gjinoviqi, i cili ka rënuar shumë kisha dhe manastire në Kosovë, ka jetuar në Prishtinë. Konakët e tij mbahen ende. Një prej tyre është djegur para 25 vjetësh, dhe ishte më i vjetri. Në konakun e tij tash jeton një administrator, i cili mbikëqyrë pronat e pasardhësve të Jashar Pashës, të cilët jetojnë në Stamboll, dhe të cilën ndonjëri vjen ndonjëherë kur duhet vjelur të ardhurat prej pronës.

Jam njoftuar me Fuad Beun, njërin prej nipërve të Jashar Pashës, dy herë kam qenë në këtë konak, kurse herën e fundit në vitin 1897, kur aty ishte vëllau i vogël i Fuad Beut, Ibrahim Beu. Pas lutjes sime më kanë treguar një odë të gjerë në të cilën ishin vendosur armë të ndryshme dhe të shumta, si: pistoleta, jataganë, pushka, shpata,  manjera(?) të lëkurës për ujë, dy pancira dhe gjëra të tjera të ndryshme e të shumta, kryesisht të natyrës ushtarake, por të gjitha pa ndonjë renditje të caktuar. Disa prej këtyre gjërave ishin vendosur në mur, disa në shtaga, kurse shumica në tokë të hedhura. Atëhere më treguan edhe këmishën e përgjakur të Maliq Pashës, e cila i qe hequr, kur ka vdekur në betejë. Në dorë kam mbajtur edhe gjeleposhin(?) — nënkapelën — e tij, të mbuluar me lutje të ndryshme nga Kurani. Në odë ndodhen edhe disa arka të mbyllura të vendosa njëra pranë tjetrës. Më kanë thënë se në këto arka ruhet arkivi i Jashar Pashës, dhe që çelsat e tyre mbahen te Fuad Beu në Stamboll. Thuhet se, në mesin e letrave aty ka edhe shkrime të knjaz Milloshit. [...]

Prej vitit 1878 deri në vitin 1888 në Prishtinë ka qenë edhe qendra e vilajetit të Kosovës, të cilën në vitin 1888 më 8 shtator, valiu i atëhershëm Faik Pasha, përnjëherë dhe befasishëm e ka zhvendosur në Shkup, ku është dhe sot, pa ndryshuar kështu aspak ndarjen e vilajetit e as emërtimin e tij. Në kohën e valillëkut të Prishtinës është botuar aty gazeta “Kosova” në gjuhën serbe dhe turke, por para se të bartej qendra e vilajetit në Shkup, kjo gazetë është ndalur së shtypuri në serbisht, kurse turqisht botohet edhe sot në Shkup me emrin "Kosova" si organ i vilajetit të Kosovës. Në gjuhën serbe "Kosova" është botuar prej shtatorit 1884 deri në fund të janarit 1886. Atë në gjuhën turke e ka redaktuar fillimisht megjtupqiu [sekretari i parë i vilajetit] e më pas njëfarë Hajrulla Efendia, një djalosh i dëbuar nga Stambolli për shkak të mendjes së tij libertine. Thuhej se kishte qenë student i një shkolle të lartë në Stamboll dhe se në Prishtinë e kishin internuar politikisht. "Kosova" nga turqishtja në serbisht qe përkthyer nga Hasan Efendia, ish shefi i policisë në Shkup. I lindur në Gjakovë, por që gjatë kishte jetuar në Bosnje ku ka mësuar gjuhën serbe shkrim dhe lexim. Rradhitës për gjuhën serbe ishte Trifun Zh. Radivojeviq nga Prizreni, tash prift në Prizren. Në atë kohë në Prishtinë ishte shtypur edhe një leximore për shkollat e mesme në gjuhën serbe.

Burimi: Stankovic, Todor (1912). Путне белешке по сtapoj Србији. Beograd: Мунц и М. Карић. Material i shtypur.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1871–1898, Todor Stankoviq, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 04.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/64/18711898-todor-stankoviq