Kërko
Shikim mbi Kosovën dhe ndarja e lagjeve
Prishtina ndahet në mahalla (lagje):
1, Çarshia, gati në mes të qytetit, ku bëhet tregtia dhe ndodhen dyqanet e mbuluara. Aty është edhe konaku i pashës (hyxhymeti). Më parë ka qenë e banuar vetëm me serbë Çarshia (në treg), tash janë përzënë. Atje ku ndodhet tash konaku i ri i pashës deri te sahat-kulla, dikur ndodheshin muret e pallatit të vjetër të carit Milutin, prishtinas i vjetër, e kështu shkruante edhe z. M. S. Milojeviq në udhëpërshkrimin e tij. Ai këto mure i ka parë para 25 vjete, por prej tyre s’ka mbetur asnjë gjurmë, sepse mbi ato mure para tetë vjetësh është ngritur konaku i pashës. Haxhi-Vitko më ka treguar se turqit, para se ta murosnin konakun e pashës, te muret e vjetra të carit Milutin, kishin gropuar dhe gjetur dy arka të vogla nga hekuri apo bakri, dhe se në to kishte ca harta e libra. Se ata libra e [ato] harta po të kishin qenë të pa rëndësishme, mbase, turqit nuk do ti kishin dërguar deri në Stamboll.
2, Varosh (turqit e quajnë Jarar-çeribashi). Këtu është kisha serbe Shën Nikolla, kurse nën të shkolla serbe. Jetojnë vetëm serbë.
3, Pirinas, kështu e quajnë lagjen edhe serbët edhe turqit. Këtu është një xhami, një kishë e dikurshme serbe, për të cilën prishtinasit mendojnë se është mitropolia e vjetër. Në këtë, mbase, kishë të kthyer xhami, ishte varrosur kalorësi Lazar për herë të parë, prandaj edhe e quajnë Shën Lazari. Jetojnë shumica serbë.
4, Mahalla Alaudin, jetojnë shqiptarë e turq.
5, Panaxhurishte, (turqit e quajnë mahalla Hasan Beg). Jetojnë edhe serbë edhe turq.
6, Mahalla e Katër Llullave, jetojnë edhe serbë edhe turq.
7, Llokaç (turqit e quajnë Junuz-efendi). Jetojnë serbë dhe turq.
8, Mahalla Kuit, (mahalla e romëve ose Hasan-Eminit). Jetojnë serbë dhe turq.
9, Mahalla Ramadanie, jetojnë serbë dhe turq.
10, Mahalla Hatunije, jetojnë turq dhe shqiptarë.
11, Mahalla Mehmed Beg, jetojnë turq dhe shqiptarë.
12, Mahalla Jusuf Çelebi, jetojnë romë-serbë, turq dhe shqiptarë.
Burimi: Veselinović, M. (1895). Поглед кроз Косово. Beograd: Државнa Штампаријa, f. 9–10; Shih edhe Rizaj, Skender (1988). Prishtina gjatë shekujve XVII–XIX (1912). Në Gjurmime Albanologjike, Prishtinë 27 (18), f. 87–109. Material i shtypur. (Përkthimi: Yll Rugova.)