*Ky është një përditësim i materialit paraprak: Gjinollët dhe Pashallëku i Prishtinës.
Familja Gjinolli ka pasur nam në Kosovë si një prej familjeve më të rëndësishme sundimtare, të njohur për rolin udhëheqës në Prishtinë dhe rajonin përreth. Pavarësisht ndikimit historik dhe politik gjatë periudhës osmane dhe më vonë, deri më sot të rralla kanë qenë përpjekjet e strukturuara për të analizuar dhe dokumentuar trashëgiminë e tyre. Në këtë shkrim, qëllimi është të shtohet diçka në këtë drejtim. Duke u nisur nga të dhënat arkivore në dispozicion, kryesisht nga burime osmane të depozituara rishtazi në Arkivin e Prishtinës, ky punim përpiqet të ofrojë një pamje më të plotë të zhvillimeve që kanë ndikuar në pozicionin e familjes Gjinolli në rajon. Dokumentaci na mundëson një rikonstruktim të rrugëtimit historik të familjes, duke hedhur dritë mbi periudhat e tyre të lavdishme dhe sfidat që kanë hasur. Përveç burimeve arkivore osmane, studimi mbështetet dhe i shqyrton gjetje e studiuesëve që kanë trajtuar këto problematika, duke ofruar kështu një perspektivë shtresore mbi veprimtarinë e Gjinollëve nëpër gjenerata të ndryshme.1
Origjina dhe ngritja
Sipas përshkrimeve të vetë familjes, Gjinollët origjinojnë nga rrethi i Kukësit dhe i takojnë fisit të Krasniqëve.2 Qysh do të shohim edhe në vijim, ky rrëfim provohet edhe nga të paktën një dokument arkivor. Megjithatë, jo të gjithë studiuesit pajtohen lehtësisht se kjo është e gjithë e vërteta. Hipotezat për prejardhjen e familjes janë të ndryshme, madje një pjesë e tyre kalojnë në kohëra shumë më të hershme — shekulli XV — kur megjithatë dokumentet arkivore nuk lejojnë një rindërtim të vazhdueshëm të trajektores kronologjike.3 Një mëtim i këtij lloji e pandeh familjen si me origjinë nga Novobërda, kurse një tjetër nga Hercegovina. Duke qenë se hipotezat e shtruara janë ende në kërkim të dëshmive dokumentare, nuk do të thellohemi së tepërmi në këtë problematikë.4 Kjo veçanërisht për faktin se një grumbull dokumentesh osmane prej atyre që kishim në dispozicion, qysh u tha, sinjalizojnë qartazi për prejardhjen ‘nga Gora’. Sakaq mbi dy hipotezat tjera, me, gjithë përpjekjen tonë, nuk kemi gjetur diçka të re për të shtuar, përveç asaj që është thënë prej autorëve përkatës.
Letër e Maliq Pashë Gjinollit nga viti 1795.
Anëtari më i vjetër i familjes, që njihet në dokumentet arkivore osmane, është Hysrevi i biri i Gjinit, ose Cinoğlu në osmanisht e turqisht, që në disa raste del edhe si i biri i Gjin Aliut ose Ali Gjinzades.5 Se cili mund të jetë Gjini, i pari i familjes, me të dhënat që disponojmë tash është vështirë të thuhet.6 Enciklopedistit turk M. Süreyya, e përmend një bej shqiptar me emrin Gjin Aliu në kapërcyell të shekullit XVII, që ka bërë nam duke shërbyer si mutasarrif i Hercegovinës.7 Në bazë të këtij zëri enciklopedik, historiani serb Sheshum, duke i rënë në gjurmë këtij personazh ka sjellur detaje të tjera rreth jetës së tij. Ky studies e mëton pikërisht atë si themeluesin e dinastisë së Gjinollëve.8 Por, hipoteza e Sheshum rreth origjinës së Gjinollëve, sado i përpiktë ky studiues në qëmtimet tjera që bën, ka dy probleme kryesore që mbesin të pazgjidhura. Së pari në ndërlidhjen e Gjin Alisë së Hercegovinës, me Gjin Alinë që shfaqet në Prishtinë në fillim të shekullit XVIII. Ky i fundit, mes vitit 1701 dhe 1702, e më pas përsëri mes vitit 1709 deri më 1714, ka qenë zotërues i minierave të rajonit të Prishtinës dhe Vushtrisë.9 Lidhjet e këtij pronari minierash, me Gjin Aliun e Hercegovinës nuk janë të dëshmuara, ato vetëm supozohen nga Sheshum. Këto lidhje bëhen problematike veçanërisht për faktin se hercegovinasi më 24 qershor 1690 është burgosur në Veronë, dhe prej atëhere s’dihet më asgjë për fatin e tij.10 Ndërkohë që Gjin Aliu i Prishtinës, nuk njihet para vitit 1702. Në anën tjetër, përmes dokumenteve osmane që janë sjellur në Prishtinë, nuk kemi ndonjë të dhënë më të detajuar për Gjin Aliun. Ky i fundit, siç u tha, përmendet vetëm si mbiemër i Ibrahim Pashë Gjinollit.
Një problem i dytë në hipotezën e Sheshumit shfaqet në ndërlidhjen direkte edhe më problematike të Gjin Alisë së Prishtinës me Maliq Pashën e njohur.11 Ai nuk flet fare për pashallarët e ndërmjetëm, që nëse për asgjë tjetër, për çështje kronologjike do të duhej kërkuar. Si pjesë e kësaj problematike, Sheshum nuk e njeh fare Hysrev Pashën, që në dokumentet e pinjollëve të mëvonshëm figuron si një themelues i dinastisë. Studimi i tij, sado i rëndësishëm dhe me vlerë, përcillet me lëshime të tipit, “Maliq Pasha është i biri i Ibrahim Pashë Gjinollit”,12 kur në fakt të dhënat arkivore osmane, qysh do të shohim, e shpjegojnë qartë se Ibrahim Pasha ishte në fakt vëllau (i madh) i Maliqit.13
Të dhënat arkivore osmane për këtë dinasti, të paktën ato që kemi pasur mundësi ti shqyrtojmë deri tash, nuk lejojnë të shohim ndonjë gjurmë para mesit të shekullit XVIII. Dëshmia më e vjetër vjen nga një dokument i vitit 1763 ku thuhet se Mustafa, i biri i Hysrev bej Gjinollit përzgjedhet në mesin e bujarëve (ajanëve) të qytetit.14 Në të njëjtën letër emërimi përmendet edhe një Sejdi Sabedini, dhe një Ibrahim Pasha, këta në fakt mund të jenë dy vëllezërit e Mustafës, dhe bijt tjerë të Hysrevit, të cilët, siç do ta shohim, figurojnë shpesh nëpër dokumente. Një dekadë më vonë, në vitin 1774, këta përmenden sërish, në formën ‘Hysrevbejzade Mustafë Beu, Said Babedin Efendiu dhe Ibrahim Pasha’.15 Se këta janë vëllezër shpjegohet më mirë në një dokument të vitit 1785 ku thuhet më prerë se në Prishtinë po sundonte “Ibrahim Pasha, biri i Hysrevit, me vëllezërit e tij Mustafën, dhe Jahjanë dhe me nënpunësin e lartë Said.” Në njërën prej letrave thuhet se babai i tyre, Hysrevi, kishte qenë komandat i Gorës, “vend prej nga edhe vinte familja”.16 Jashar Pashë Gjinolli, i nipi i Maliqit, në vakëfnamenë e tij të shkruar më 1836 thotë se gjyshi i tij quhej Hysrev Gjinolli, çka konfirmon më tutje shënimet e dokumentit të mësipërm.17 Sipas shënimeve arkivore, Ibrahimi duket të ketë qenë udhëheqësi i familjes me titullin pashë të paktën nga viti 1774.18 Ndërkohë që Saidi (diku edhe Ahmet Saidi), duhet të jetë vetë Ahmet Bahtijari i ati i Jashar Pashës, që mbante një post të lartë shtetëror. Është e mundur se bëhet fjalë për një figurë që në dy raste shfaqet si njëfarë drejtuesi i organizimit postar në Prishtinë, në vitin 1770 dhe 1782.19
Ibrahimi Pashë Gjinolli shpejtë kishte hasur në limitet e pushtetit të tij karshi Portës së Lartë, ngase qysh nga vitit 1775 diskutohet për internimin e tij në Gorë, ani pse një vendim i tillë nuk ishte aplikuar asnjëherë.20 Në shkurtin e vitit 1784 figuron edhe si mbrojtës i kalasë së Nishit,21 çka tregon për një pushtet të konsoliduar. Por, të njëjtin vit në shtator akuzohet se si udhëheqës i ‘rebelëve shqiptar të Llapit dhe Gollakut’ ka sulmuar e plaçkitur shumë sipërrmarje në Prishtinë, Vushtrri e Dukagjin.22 Akuzat e njëjta vazhdojnë deri në korrikun e vitit vijues 1785.23 Në korrik të vitit 1792 njoftohet për vdekjen e tij.24 Ndërkohë në gurë varresh nga Gjilani, mësojmë se vëllau i tij Ahmet (Said) Bahtijari, ka vdekur në Gjilan në vitin 1800, dhe vëllau tjetër Mustafa në vitin 1811.25 Ndërsa Rashit Gjinolli ka vdekur në vitin 1796, bashkë me një nip të tij Sylejmanin.26 Maliqi është i vetmi prej vëllezërve që ka jetuar edhe në shekullin vijues.
Maliq Pashë Gjinolli (c. 1760–1824)
Figura më e njohur e familjes Gjinolli, është pa dyshim vëllau më i vogël, Maliqi. Duhet të ketë lindur në Prishtinë rreth vitit 1760, megjithëse të dhëna të sakta për lindjen e tij nuk janë gjendur ende.27 Në shënimet arkivore së pari shfaqet në vitin 1785, krahas vëllaut të tij Ibrahimit dhe vëllezërve tjerë Mustafës, Rashidit dhe Jahjasë.28 Në një zinxhir letrash në verën e këtij viti (qershor–korrik), Maliqi dhe vëllezërit akuzohen për plaçkitje dhe persekutime në zonën e Gorës, Dukagjinit, Vushtrrisë, Prishtinës. Qysh u përmend edhe praprakisht, vëllezërit, nën drejtimin e vëllaut të madh Ibrahimit, janë në krye të një bande më të madhe rebelësh nga Llapi e Gollaku.29 Sulmet nga kaçakët dhe banditët shqiptarë në rrethin e Prishtinës përmendet edhe në vitin 1788, e 1789, por në këto letra s’flitet për emra. Pak a shumë në këtë kohë, si përnjëherë, më 1789 së pari herë e ndeshim me titullin pashë; në kohën kur vëllau i tij Ibrahimi ende ishte udhëheqësi kryesor i familjes.30 Duke e mbajtur këtë rang perandorak, që nga viti 1792, pas vdekjes së të vëllaut, de-fakto ka udhëhequr me sanxhakun e Prishtinës, që kishte nën administrim edhe Artanën e Vushtrinë. Kohë pas kohe ka qenë udhëheqës edhe i sanxhakut të Shkupit, por gjithnjë duke e mbajtur selinë në qytetin e Prishtinës.31 Duke qenë vëllau më i vogël, arsyet pse Maliqi ka marrë kryesimin e familjes pas vdekjes së Ibrahimit nuk janë krejtësisht të njohura, por duket se në këtë kohë vëllezërit e tij Mustafa dhe Ahmet Bahtijari jetonin në Gjilan, qendrën tjetër me rëndësi në zotërimet e kësaj familjeje.32 Qysh nga kjo kohë fillon të njihet edhe si Pasha i Prishtinës.33 Në fillim të drejtimit të tij me këtë cilësim, ishte përballur me forcën e Mahmud Pashë Bushatlliut, i cili për ca kohë në këtë periudhë (1792) e ka pushtuar edhe Prishtinën. Sidoqoftë, shpejtë Maliqi ka arritur ta rikthejë adminiatrimin e tij. Në vitin 1800 është emëruar edhe mirmiran i Shkupit, pozitë me rëndësi që i ka sjellur pushtet në gati tërë territorin e sotëm të Kosovës. Është kjo mbase periudha kur Pashallëku i Prishtinës e arrin kulmin e zgjerimit të vetë gjeografik. Sipas Antoan Vasit, nën-konzullit francez në Prishtinë, qyteti kishte ndikim në gjithë rajonin përreth, por se cili ishte kufiri zyrtar i pushtetit të Pashait, nuk e kishte kuptuar as ai. Sipas tij, në disa raste madje edhe Peja, Prizreni e Shkupi përmendeshin si pjesë e Pashallëkut të Prishtinës.34
Maliqi ishte pjesmarrës aktiv në luftat kundër kryengritjes së parë serbe të viteve 1804–1813. Në vitin 1809 ishte pjesmarrës në një nga betejat kryesore të osmanëve kundër kësaj kryengritjeje. Për rolin e tij në këto beteja, jo rrallë është bërë personazh këngësh, apo kronikash serbe të kohës.
Rreth kësaj kohe, në vitin 1812 Antoan Vasi, që sapo përmendëm, në kohën e shkurtë të mandatit të tij në këtë qytet, e sjellë edhe këtë përshtypje të parë pas takimit me pashain prishtinas. Është ky një fragment nga ditët e para të këtij francezi në Prishtinë,
“[p]asha pritej të vinte në Prishtinë më 27 gusht. Duke llogaritur se do ta gjeja në një humor krejtësisht të mirë ndaj meje, pranova me kënaqësi që bashkë me disa të tjerët të hipi në kalë për ta takuar. Këtë ma sugjeroi kapexhi-basha Kurshid Beu, kushëri i Jashar Pashës dhe Maliq Pashës. Kompania e kuajve kishte për detyrë të hipte përpara Maliq Pashës dhe të shikonte garën që organizohej për nder të martesës së Jashar Pashës. U nisëm në orën 5:30 të mëngjesit dhe në orën 7 takuam grupin që po e shoqëronte Maliq Pashën. Ne zbritëm; Ndjekësit e Maliq Pashës u ndalën. Më prezantuan me të zotin dhe unë fillova përshëndetjet, por ai nuk priti as të mbaroja fjalinë, por filloi të thoshte: Mirë, mirë, por më vjen shumë keq që nuk munda të ta siguroj një banesë. Letra juaj më mbërriti kur isha në nisje të një udhëtimi. Nuk munda ta shtyja nisjen, por urdhërova Jashar Pashën të të strehojë në konakun tonë dhe të kujdesej për të gjitha nevojat tuaja gjatë qëndrimit. Përndryshe, shoh që paskeni mbërritur dhe mirësevini. Do të kujdesem që ju të gjeni një shtëpi dhe pasi do të qëndroni gjatë këtu, do të shihemi shpesh, dhe çdo ditë me kënaqësi!”35
Vas kishte qëndruar vetëm tre muaj në Prishtinë, dhe përshkrimet e tij gjatë atyre pak ditëve japin të dhëna të mira për konakun e familjes Gjinolli dhe për karakterin e vetë Maliq Pashës dhe nipit të tij Jasharit.36 Pak a shumë në të njëjtën kohë, një francez tjetër Pukëvill, për shkak të mërisë së tij ndaj këtij pashai kishte refuzuar ta takonte. Në fakt, shpesh në shënimet e kohës, Maliqi përmendet si udhëheqës i ashpër dhe mizor. Janë të njohura protestat kundër pushtetit të tij të reptë në Prishtinë e rrethinë nga viti 1821 dhe 1822.37 Për shkak të këtyre protestave për një kohë të shkurtë ishte transferuar në Sofjen. Por me ndihmën e Sulltanit, shpejtë ishte rikthyre në qendrën e tij në Prishtinë. Në këtë kohë, megjithëse ishte i dobësuar, ai gjithnjë njihej si ‘udhëheqës shpirtëror’ i gegëve, qysh thuhet në një letër nga viti 1822:
“Jemi duke e shqyrtuar emërimin e Maliq Pashait, që tani është mutasarrif i Içelit, dhe që për momentin është duke e ruajtur Sofjen, të vihet nën komandën tënde. Mbase mund ta dërgosh në More duke i dhënë ushtarë dhe ndihmë. Edhe pse nuk është shumë i fuqishëm për momentin, megjithatë konsiderohet udhëheqës shpirtëror (ahi baba) i pashallarëve gegë, dhe kështu nëse hyn nën komandën tënde, do të bëhej instrumental në aktivizimin e më shumë pashallarëve gegë.”38
Një vit pas mbarimit të këtij episodi të protestave, ka vdekur më 19 dhjetor 1823 në rrethana të panjohura.39 Ish-konzulli serb në Prishtinë, Todor Stankoviq në disa kujtime të tij të mëvonshme tregonte se në shtëpinë e familjes Gjinolli ende mbahej këmisha e përgjakur e Maliqit ‘nga koha kur ishte vrarë’.40 Sahatkulla e vjetër e qytetit, që dikur ka qëndruar afër Xhamisë së Çarshisë, sipas një rrëfimi të banorëve nga fundi i shekullit XIX, përmendet si e financuar prej Maliq Pashës në fillim të atij shekulli.41
Jashar Pashë Gjinolli (1788–1846)
Mbi ditëlindjen e Jasharit të dhënat e vetme i kemi nga nën-konzulli francez i Prishtinës, Antoine Vas. Duhet të ketë lindur në vitin 1788 ose 1787 në Prishtinë.42 Ishte nip — djalë i vëllaut — i Maliq Pashës. Njihet për ndërtimin e xhamisë së mesme që edhe sot mban emrin e tij në kryeqytet. Gjithashtu për ndihmën në ndërtimin e kishës ortodokse të Shën Nikollës që edhe sot qëndron në Prishtinë.43 Ka mbajtur postin e udhëheqësit të Prishtinës, Vushtrrisë e Novobërdës prej vitit 1823 deri të paktën në marsin e vitit 1839.44 Në vitin 1831 i është bashkuar Mahmut Pashë Bushatlliut në kryengritjen kundër Portës së Lartë. Por pas disfatës, i është rikthyer në devotshmëri Sulltanit. Është shumë e mundshme të ketë vdekur në tetorin e vitit 1846,45 edhe pse emri i tij nuk figuron në Prishtinë në regjistrimin e vitit 1844.
Deri tash nuk është shpërfaqur ndonjë gravurë apo vizatim që do të paraqiste pamjen e këtij udhëheqësi të Prishtinës, por ekziston një përfshkrim fizik i bërë në fund të shekullit XIX nga një banor i moshuar i qytetit. Po e sjellim këtu të përkthyer,
“Jashar Pasha ishte një burrë i shkurtër, i shkathët dhe mendjeprehtë, i hollë dhe biond. Kur zemërohej me dikë, fillonte t’i lëpinte skajet e gishtave dhe të gjithë rreth tij tashmë dridheshin nga frika se cilit do t’ia drejtonte gishtin për t’a varur. Një serb e ka varur vetëm për faktin se, pasi Pashai kishte ndaluar shpërndarjen e kooperativave, ky kish shkuar të ankohej se nuk mund të qëndronte në kooperativë edhe sikur ta varte. Pasha ka urdhëruar menjëherë që kjo të bëhej. Ishte gjithashtu pashë shumë i rreptë me fëmijët e tij, kur njëherë i pat thënë njërit prej tyre në mbrëmje se do të shkonte nesër për punë në Gjilan, ky i fundit qe nisur me nxitim dhe duke mbërritur në Gjilan në mes të natës te kushëriri i pashait, dhe kur këta e kishin pyetur për çfarë pune u bëhej kjo vizitë, ai nuk kish ditur tu tregonte, por u ka thënë se nuk guxonte ta priste agimin e mëngjesit.”46
Pashai fundit i Prishtinës: Abdurrahman Gjinolli
Qysh u pa dhe më sipër, vitet e fundit ka pasur një numër kontributesh rreth zbardhjes së jetës së disa pjestarëve të familjes Gjinolli, veçanërisht për Maliq Pashën dhe Jashar Pashën që kanë nam më shumë (edhe ndër historianë).47 Megjithatë, edhe në këta artikuj, Abdurrahmani, që vjen fill pas këtyre si udhëheqës, përmendet krejt rrallë. Për të nuk ka ndonjë tentim biografik, prandaj këtu do të orvatemi të vendosim disa kontura të para, pa pretenduar se kemi shteruar të gjitha burimet relevante. Përgjithësisht, jo veç interesimi, por edhe shënimet arkivore për të janë më të rralla se ato për dy paraardhësit tjerë.
Nuk kemi parë ndonjë dokument (prej atyre që kishim në dispozicion) që dëshmon ditëlindjen e Abdurrahman Pashë Gjinollit; sidoqoftë, nga të dhënat rrethanore mund të supozojmë të ketë lindur diku rreth vitit 1813.48 Të paktën tre dokumente arkivore e vërtetojnë mëtimin se ishte i biri i Jashar Pashës, duke larguar çdo dyshim në këtë drejtim. Gjurmët e para të këtij pashai në shkrimet e kohës na shfaqen në vitin 1840,49 kur dhe qe emëruar si kajmakam (udhëheqës) i Sanxhakut të Shkupit, me seli në Prishtinë.50 E dimë me siguri se këtë pozitë e ka mbajtur deri kur është shkarkuar më 19 korrik 1845.51 Burimet janë të rralla gjatë kohës sa ka ushtruar detyrat e tij administrative. Pikërisht periudha që po flasim i takon viteve të kryengritjes popullore (të përbërë kryeisht nga shqiptarët) që ka kapluar qytetet prej Vranjës deri në Shkup, përfshi Prishtinën, Vushtrrinë, Kaçanikun e Tetovën. Në këtë valë turbullirash, Abdurrahmani kishte qenë edhe vetë cak i sulmeve kryengritëse, ngase në të paktën njërën letër të tyre qe kërkuar përveç tjerash edhe shkarkimi i tij nga pozita e udhëheqësit të Shkupit e Prishtinës.52 Ka bazë të besohet se Sulltani fillimisht e kishte mbështetur Pashain e Prishtinës në këtë përballje, ngase më 7 gusht 1844 ishte dekoruar me medalje për kontributin e tij.53 Ndërkohë në regjistrimin e popullatës në Prishtinë të vitit 1844 emri i tij figuron si banor në lagjen e Xhamisë së Madhe, me të hyra vjetore të jashtëzakonshme për kohën prej 78,602 kurushësh.54 Qysh u tha, një vit më vonë, pasi kryengritja tashmë ishte shuar, Sulltani e kishte shkarkuar. Vendin ia kishte zënë shkurtimisht një Melek Beu, me gjasë nga Kumanova, e më pas një Hasan Beu, i cili për një periudhë më të gjatë ka ushtruar detyrën e kajmakamit të Prishtinës. Emrin e këtij të fundit e hasim në vazhdimësi nga 27 nëntor 1846 deri më 11 dhjetor 1850, pra nja katër vjetë të plota.55
Vetë Abdurrahmani për një kohë të shkurtë, rreth një vit, është vendosur si kajmakam i Prizrenit, përsëri me seli në Prishtinë.56 Vendosja në këtë pozitë është sinjal se me gjithë shkarkimin, raportet e tij me administratën qëndrore në Stamboll kishin mbetur më tutje të mira.57 Ka indicie se kishte pasur lidhje miqësie me ish-kajmakamin e Prizrenit nga familja e Rrotajve. Abdurrahmani është emëruar me post në Bejrut më 28 maj 1848, ku ka shërbyer si komandat kryesor, mbrojtës i qytetit për disa vjet. Në fakt këtë pozitë duket se e ka ushtruar jashtë selisë së vetë në Prishtinë, edhe pse prezenca e tij në vendlindje duket të ketë qenë e vazhdueshme. Madje, për ca muaj mes korrikut dhe dhjetorit në vitin 1848 është rikthyer si kajmakam i Prishtinës në vend të Hasan Beut, por është shkarkuar sërish për mosbindje rreth disa çështjeve të taksave. Hasan Beu i është ridhënë kjo pozitë. Në qershor të vitit 1854 përfundimisht qe shkarkuar nga pozita e kryekomandantit në Bejrut. Për disa vjet pas kësaj nuk dihet shumë për fatin e tij; dihet vetëm që në vitin 1855 kish bërë kërkesë për tu kthyer në Prishtinë rreth rregullimit të ca çështjeve në lidhje me pronat e tij në këtë qytet. Më pas, befas, në vitin 1861 rishfaqet si kajmakam i Prishtinës, madje edhe kajmakam i Prizrenit njëkohësisht. Duhet të jetë nga kjo kohë një përshkrim i rëndësishëm prej dy udhëpërshkrueseve angleze, që përveç tjerash flasin edhe për pamjen, gjuhën dhe për përkatësinë e tij,
"Menjëherë pas mbërritjes sonë, mudiri58 i Prishtinës e dërgoi [dikend] për të na ofruar një vizitë dhe më pas u shfaq, jo si zakonisht në formën e një osmanliu të trashë dhe të yndyrshëm, por si një shqiptar i regjur me një mantel të gjelbër të veshur me gëzof. Ai ishte një plak me pamje të bukur, me flokë të argjendtë, me sy të zinj vezullues, një kompleksion të zbehtë, dhe me një pamje të një linje gjaku që të jep përshtypjen se nuk e ka fituar pozitën e tij duke u ngritur prej një çakmakxhiu apo kafexhiu. Në pak minuta shoqëruesi i mudirit na njoftoi se eprori i tij vinte me të vërtetë nga një racë fisnike dhe, ndërsa shfaqëm interes të theksuar mbi këtë temë, vetë mudiri mori fjalën dhe na tregoi emrin e familjes së tij,59 duke shtuar se ata ishin të gjithë gegë nga raca dhe se në vendin e tyre askush nuk fliste asnjë fjalë turqisht. Kështu të inkurajuar ne vazhduam ta pyesnim për familje të tjera të Shqipërisë së Veriut, dhe veçanërisht nëse ai ishte dakord me informatat e konsullit Hahn se shtëpitë më të mëdha ishin ato të Ismail Pashës dhe Mahmut Begollit. Ai tha se [këto familje] ishin të rëndësishme, por se pinjolli i fundit i njërës prej tyre ishte futur në shërbim të sulltanit, duke shtuar me përbuzje: “Ai është një djalë i vogël me gungë në kurriz” dhe duke imituar gungaçin."60
Është për tu vënë re shprehja se në “vendin e tyre askush nuk fliste asnjë fjalë turqisht,” që pa dyshim është dëshmi me peshë sa i përket përkatësisë etnike të familjes Gjinolli — pa marrë parasysh devotshmërinë e tyre ndaj Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, duket se Abdurrahmani nuk e kishte mbajtur postin e mudirit të Prishtinës për shumë gjatë herën e dytë. Dy vjet më pas, më 30 korrik 1863, tashmë shfaqej si mytesafir i emëruar në një vend tjetër.61 Megjithëse, sigurisht kishte shërbyer nga Prishtina. Rreth vitit 1869 e ka ndërtuar një shkollë të mesme në Prishtinë. Ishte i martuar me një Sanije, dhe kishte djemtë Zijanë, Ibrahimi, Ali Danishin dhe Fuadin. Data e saktë e vdekjes nuk është e shënuar në mesin e dokumenteve arkivore që ndodhen në Prishtinë. Në dokumentet osmane për herë të fundit shfaqet në vitin 1872.62 Rishfaqet si një prej nënshkruesëve të Karansmesë së Lidhjes së Prizrenit në korrikun e vitit 1879, me emrin Abdurrahmani i Sirit.
-
1
Pjesa kryesore e punimeve mbi këtë çështje do të përmendet në vijim, por këtu po veçojmë vetëm tri: Abdullah Konushevci, Gjinollët e Prishtinës, Prishtinë: Nositi (2013), 10; Iljaz Rexha, ‘Disa të dhëna arkivore për familjet mesjetare Gjinaj nga Novobërda dhe familjen fisnike të Jashar Pashë Gjinollit si pasardhëse e tyre’, Gjurmime Albanologjike 46 (2016), 25–58; dhe, Urosh Sheshum, ‘Pashe iz porodice Gjinolli (Gjin-oglli) u 18. i prvoj pollivini 19. veka’, Serbian Studies XI (2020), 11–41 [Урош Шешум, ‘Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века’, Serbian Studies XI (2020), 11–41].
-
2
Drita Halimi, ‘Gjilani: Struktura dhe funksionet si qendër regjionale’, Kosova 3 (1983), 275; Abdullah Konushevci, Gjinollët e Prishtinës, Prishtinë: Nositi (2013), 10.
-
3
A. Konushevci, Gjinollët…, 7–9; Iljaz Rexha, ‘Disa të dhëna arkivore për familjet mesjetare Gjinaj nga Novobërda dhe familjen fisnike të Jashar Pashë Gjinollit si pasardhëse e tyre’, Gjurmime Albanologjike 46 (2016), 25–58.
-
4
Megjithëse nuk është argumentuar deri tash në ndonjë botim, nuk është e pamundur edhe një hipotezë e katërt sa i përket prejardhjes së familjes, që ata të jenë me origjinë nga vetë Prishtina. Në dokumentet e mëvonshme, familja përmendet si ‘honedan’ në këtë qytet. Kjo mund të shihet te një biografi zyrtare e Fuad Gjinolli, të cilën na ka siguruar A.Islami, e të cilin e falënderojmë: “Hysejn Fuad Beu, i biri i Abdurrahman Galip Pashës Gjinollit nga dinastia (hanedan) dhe pashallëku (mir-miran) i Prishtinës,” 24 korrik 2024, komunikim privat.
-
5
Arkivi i Prishtinës, kopje të dokumenteve osmane (në vijim AP, shkurtesat tjera sipas emërimeve përkatëse në arkivat e Stambollit), C.DH. 100/4979 më 23 qershor 1775: ‘Haxhi Ibrahim Pasha i biri i Hysein Ali Pashazades’; C.DH. 331/16512 më 26 korrik 1775: ‘Komandanti Ibrahim Pasha … [i familjes] Gjin Ali Pashazades’. Në transliterimin e shkrimeve osmane emri arab Hysen (هیسن) dhe ai pers Hysrev (هیسرو) lehtësisht përzihen me njëri tjetrin. Kjo duhet të jetë arsyeja pse në dokumentet e Arkivit të Prishtinës herë e ndeshim njërin, e herë tjetrin.
-
6
‘Gjini’ si emër ndër shqiptarë ka qenë shumë i përhapur, dhe më së hershmi ndeshet në vitet 1199–1204 si ‘Αρχοτος τού Αρβανού Γίνη τού Προγόνου’, shih: Joannes Baptista Pitra, Analecta sacra, Spicilegio solesmensi parata: VII, 1, (Romë-Pars, 1891), 1–2. Ndërkohë që në shekujt XVII dhe XVIII këtë mbiemër e gjejmë edhe në mesin e ushtarëve shqiptarë në Venedik, khs. Lovorka Čoralić, ‘Albanska obitelj Ginni u povijesti Dalmacije i Istre (XVI. i XVII. st.)’, Povijesni prilozi, 33 (2007), 271–287; Lovorka Čoralić, ‘Albanski vojnici u mletačkim prekojadranskim kopnenim postrojbama (18. stoljeće)’, Povijesni prilozi, 37 (2018) 54, 183–214. Për një paraqitje kronologjike të këtij emri në Kosovë shih I. Rexha, Disa të dhëna…, 26–45.
-
7
Mehmet Süreyya, Sicilli Osmani 1, (Stamboll: 1996), 281–282: “Ali Paşa (Cin) (Hacı) Arnavut beylerindendir.”
-
8
Urosh Sheshum, ‘Pashe iz porodice Gjinolli (Gjin-oglli) u 18. i prvoj pollivini 19. veka’, Serbian Studies XI (2020), 11–41 [Урош Шешум, ‘Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века’, Serbian Studies XI (2020), 11–41].
-
9
U. Sheshum, Pashe iz porodice Gjinolli…, 26–30.
-
10
Dragan K. Vukçeviq, Crna Gora izveshtaji Mletaçkih probidura (1687–1735), (Podgoricë: CID, 1998), 72. [Драган К. Вукçевиq, Црна Гора извесхтаји Млетаçких пробидура (1687–1735), (Подгорица: ЦИД, 1998), 72.]; Sllavko Mijuskoviq, ‘Nikshiqki knezhevi Vlastelinoviqi u mletaçkim dukalama i terminacijama’, Iztorijski zapisi, 9 (1956) 12, 1–2, 110–116. [Славко Мијушковић, ‘Никшићки кнежеви Властелиновићи у млетачким дукалама и терминацијама’, Историјски Записи, 9 (1956) 12, 1–2, 110–116.]
-
11
U. Sheshum, Pashe iz porodice Gjinolli…, 26–30.
-
12
Po aty.
-
13
AP, AE.SABH.I. 258/17357, 18 gusht 1785.
-
14
Khs. Yll Rugova, Prishtina në histori: fragmente, dokumente dhe letra 1315–1905, (Prishtinë: Varg, 2024), 87–88.
-
15
AP, AE.SABH.I. 11/7528 më 17 gusht 1774.
-
16
AP, AE.SABH.I. / 258 / 17357, 18 gusht 1785, këtu përmendet emri i babait dhe vendi i origjinës; Një letër tjetër që flet për trazirat e shkaktuara nga Ibrahimi me vëllezërit, AP. AE.SABH.I./ 263 / 17749, 13 qershor 1785.
-
17
Besir Neziri, ‘Vakëfnameja e Jashar Pashë Gjinollit’, Edukata Islame 1 (2020) 122, 78.
-
18
AP. AE.SMST.III. 195/15373 më 13 mars 1774: ‘Ibrahim Pashai nga Prishtina’, pra shfaqet me titullin e pashës; AP. AE.SMST.III. 317/25513, po më 13 mars 1774: ‘Hysejin Ali Pashazade Ibrahim Pashain nga Prishtina’ del i emëruar si mbikqyrës i disa vojvodëve të vendit.
-
19
AP. AE.SMST.III. 124/9592 më 1 qershor 1770: Si udhëheqës i postës figuron ‘Ahmed Said Efendiu’; AP. AE.SABH.I. 94/6444 më 27 qershor 1782: Në këtë rast emri i drejtuesit të postës shfaqet një ‘Said Ibrahim Aga’ që e vë në pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me të njëjtin person.
-
20
AP. C.DH. 100/4979 më 23 qershor 1775 është urdhëruar internimi i tij; C.DH. 331/16512 më 26 korrik 1775 është anuluar urdhëri paraprak ngase ‘Ibrahim Pashë Gjin Ali Pashazade’ konsiderohet ‘njeri i drejtë dhe ndihmës i skamnorëve’ ndaj të cilit është shpifur.
-
21
AP. AE.SABH.I. 144/9736 më 2 shkurt 1784.
-
22
AP. AE.SABH.I. 263/17751 më 22 shtator 1784.
-
23
AP. AE.SABH.I. 258/17357 më 18 gusht 1785.
-
24
AP. C.ADL. 82/4940 më 27 korrik 1792.
-
25
Agron Islami, Epitafe në gjuhën osmane, deshifrimi dhe përkthimi i tyre: Regjioni i Gjilanit, Prishtinë (2022), 25, 27.
-
26
AP. BOA. HAT/48/2305, 5 korrik 1796, 1.
-
27
Duke qenë se qysh në vitin 1789 mban titullin e pashës, duhet të ketë pasur njëfarë moshe. Si luftëtar figuron në shënimet arkivore edhe më parë në vitin 1785, prandaj datëlindjen e Maliqit duhet kërkuar diku mes vitit 1760–1765.
-
28
AP, AE.SABH. I. 258/17357, 18 gusht 1785; Siç u tha në pjesën paraprake, nuk ka dyshim se njëri vëlla, i ati i Jashar Pashës, e kishte emrin Bahtijar, por ai nuk figuron në këtë pjesë të letrave. Pas gjasash ky vëlla njihej edhe me emrin Said, dhe si nënpunës i lartë i Portës që ishte nuk merrte pjesë në fushatat ushtarake të vëllezërve.
-
29
AP. AE.SABH.I. 263/17751 më 22 shtator 1784.
-
30
AP. BOA. C. DH. 330/16471, 10 qershor 1789.
-
31
Për jetën e Maliq Pashës ka të dhëna edhe nga I Rexha, Disa të dhëna…, 25–58; Gjithashtu U. Sheshum, Pashe is porodice Gjinolli…, 11–41.
-
32
Të dy këta vëllezër janë të varrosur në Gjilan, khs. A.Islami, Epitafe…, 25, 27.
-
33
Në një letër që i drejtohet pashallarëve të Shqipërisë më 22 shtator 1793 mes tjerash thuhet: “Nga i nderuari Maliq Pasha i Prishtinës që i takon familjes bujare të mir-miranëve, [kërkohen] 500 këmbësorë (piyade) dhe segbendë të zgjedhur shqiptarë…,” titulli i mir-miranit këtu është shumë me rëndësi (Kurz 2003, 547). Shih edhe njoftimin në një gazetë spanjolle të kohës ku edhe më drejtpërdrejtë quhet ‘Pashë i Prishtinës’: “Për të mos lejuar që të bashkohen ata që janë shpërndarë në Serbi [kryengritësit serbë], është dërguar kundër tyre një trupë kalorësie, e drejtuar nga Maliqi, Pasha i Prishtinës.” ‘Noticias de Turquia’. Mercurio de España, mars 1797, nr. 3, Madrid, f. 186.
-
34
Raport i Anotine Vasse dërguar Seksionit të Konsullatave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Prishtinë, 1 tetor 1812: “Maliq Pasha duket se ka nam të madh në një rreth prej njëzet ose njëzet e pesë milje, edhe nëse domeni i tij i vërtetë nuk shtrihej në atë distancë. Ai vetë më tha se zona e tij është shumë e ngushtë dhe e mjerueshme dhe se të ardhurat e saj janë më të pakta se sa do të mjaftonin për ta mbajtur veten në postin që ka. [...] Nuk jam ende në gjendje t’i them Shkëlqesisë suaj se deri ku shtrihet zona e Prishtinës. Këdo që e pyes, shmanget të më jep një përgjigje të qartë, dhe nëse më thotë diçka më konkrete, del ndonjë tjetër që e përgënjeshtron, dhe unë nuk kam si të sigurohem se cili prej tyre gënjen e cili e thotë të vërtetën. Disa më thanë se qeveria e Prishtinës përfshin Pejën, Prizrenin dhe Gjakovën, madje edhe Shkupin; të tjerët, në anën tjetër, më thanë se ato vende janë krejtësisht të pavarura nga Prishtina, kështu më thanë edhe ca barinj nga Peja dhe Gjakova për zonat e tyre, kur i pyeta për këtë.” Les archives diplomatiques à Nantes, Correspondence consulaire et comerciale, Pristina 1812–1814, 259CCC.
-
35
Yll Rugova (red.), Prishtina në histori: fragmente, dokumente dhe letra 1315–1899, Prishtinë: Trembelat, doc. 71.
-
36
Y. Rugova, Prishtina…, doc. 72.
-
37
Dokumentet kryesore osmane mbi këtë ngjarje janë botuar nga Arkivi i Kosovës në vitin 1969, shih Omer Nakiqeviq, Revolti dhe marshi protestues i banorëvet të Kosovës më 1822, Prishtinë: Arkivi i Kosovës (1969).
-
38
Nga një letër dërguar Vezirit të Rumelisë, Qose Pashës, 27 shkurt, 1823, Ilicak 2021, 569–570.
-
39
AP. BOA. HAT 708/33928 C, 19 dhjetor 1823. Në këtë letër të dërguar nga Jashar Pasha njoftohet për vdekjen e Maliqit, dhe njëkohësisht bëhet kërkesë për zëvendësimin e tij nga i nipi, vetë Jashari.
-
40
Y. Rugova, Prishtina…, doc. 97.
-
41
“Një prishtinas më ka thënë se sahatkulla e Prishtinës është ndërtuar nga Maliq Pasha, i ati i Jashar Pashës,” shih B. Kariq, ‘Kroz groblje, opaznja i belleshke prillikom putovanja kroz srpsku zemlju pod turskom 1892. godine’, Delo, list za nauku, knjizhevnost i drushtveni zhivot 3 (1894), 50 [В. Карић, ‘Кроз гробље, опажња и белешке приликом путовања кроз српску земљу под турском 1892. године’, Дело, лист за науку, књижевност и друштвени живот 3 (1894), 50].
-
42
Sipas Vas në vitin 1812 Jashar Pasha i kishte 24 ose 25 vjet, që do ta nënkuptonte ditëlindjen më 1788 ose 1787 (shih dokumentet).
-
43
Khs. Урош Шешум (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies XI, 11–41.
-
44
Shih dokumentet: AP. BOA. HAT. 836/37741, 16 mars 1824; AP. BOA. HAT. 1252/48389, 15.III.1839
-
45
Khs. Урош Шешум (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies XI, 11–41; Урош Шешум (2020). Улога Јашар-Паше Џинолија у разарању српских сакралних споменика на Косову (пример уласка предања у историографију). Në Зборник матице српске за друштвене науке (168) 4, 856.
-
46
Урош Шешум (2020). Приказ стања у приштинском валилуку у времену од првог српског устанка до отварања српских конзулата у Турској Јосифа К. Поповића. Në Serbian Studies VII, 380.
-
47
Një skicë jetëshkrimi për Maliq Pashën dhe për Jashar Pashën, e kanë ndërtuar qysh më 1972 Hasan Kaleshi me Ismail Erenin (khs. 2006, 157–158, 166), por kjo edhe pse e shkurtë, përcillet me shumë pasaktësi; Të dhëna pak më të plota mund të gjejmë te Rexha (2016, 26–58); E me detaje më të freskëta dhe nga burime osmane janë me rëndësi dy artikuj nga Shoshum, njëri për Jashar Pashën (2018, 849–872) dhe tjetri për Gjinollët në përgjithësi (2020, 11–39). Të dhëna me rëndësi dokumentare për Maliq dhe Jashar Pashën, por pa ndonjë tentim për jetëshkrim, ndodhen te artikujt e botuar nga Nakiqeviq (1969) dhe Jaka (1974).
-
48
Ky supozim bazohet në faktin se dihet saktësisht kur është martuar i ati i tij Jashar Pasha (1787–1846), në tetorin e vitit 1812 (cf. Jaka 1974, 418); prej çka të paktën një vit më pas mund të paramendohet se kishte lindur djali i tij më i madh. Kjo përputhet edhe me datën 14 gusht 1841 kur është emëruar mytesarif i Shkupit dhe Prishtinës, pra diku në moshën 26 vjeçare, që është moshë relativisht e re për një udhëheqës të nivelit të tillë — por gjithsesi shumë e mundur. Më i ri se kaq vështirë të ketë qenë, prej nga edhe nuk mund të besohet ditlindjen ta ketë pasur më vonë se viti 1813.
-
49
Përgjithësisht në këtë artikull të shkurtë referimet nga Arkivi i Prishtinës u bëhen atyre kopjeve të dokumenteve që janë sjellur nga Arkivi i Stambollit, e që për momentin mbajnë numra të njëjtë me dokumentet origjinale në Stamboll. Ne do t’ju referohemi numrave ashtu si janë, duke e shtuar emërtimin ‘Arkivi i Prishtinës’ përpara.
-
50
Arkivi i Prishtinës, BOA. HAT. 326. 18986C.
-
51
Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 67. 1266.
-
52
Është fjala për një dokument arkivor në Stamboll të cilit i referohet autori turk Kirli (2015, f. 30). Dokumenti nuk ka datë, por i referohet këtyre ngjarjeve dhe mund të supozohet të ketë qenë diku prej qershorit 1844.
-
53
Arkivi i Prishtinës, BOA. DH. 90. 4488.
-
54
Në këtë kohë një familje e zakonshme kishte të ardhura vjetore rreth 500 kurush, kurse njëriu më i pasur në Prishtinë i kishte rreth 9,000 kurush në vit. Shih Ardel, 378.
-
55
Për datën e emërimit khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 82. 1628. Kurse për datën e shkarkimit khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 235. 4.
-
56
Pozitën e re e kishte marë me një vendim të datës 21 korrik 1846, khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. A. TIF. 1.94.
-
57
Raporte të mira Abdurrahman Pasha kishte edhe me valiun e Shkupit, Mehmet Selimin, i cili më 26 shkurt 1846 ka bërë kërkesë në Stamboll për t’i gjetur ndonjë pozitë të re Abdurrahman Pashë së shkarkuar. Shih Arkivi i Prishtinës, BOA. A. MKT. 36. 62.
-
58
Megjithëse në dokumentin arkivor që kemi cituar Abdurrahman Pasha referohet si kajmakam, është shumë e mundur që përgjatë kësaj kohe pozita e drejtuesit të Prishtinës të ketë qenë ajo e një mudiri të thjeshtë, pra udhëheqës i kazasë. Data e saktë e vizitës së tyre nuk është e dhënë, por vetë teksti i vizitës në Kosovë është shkruar në gusht të vitit 1862 në Sofje.
-
59
Në këtë fragment nuk jepet asnjëhere emri i familjes, ani pse është e qartë se ky emër ka qenë i ditur për autorët.
-
60
Khs. Mackenzie dhe Irby 1877, 193–234. Për fragment më të zgjeruar shiko pjesën e dokumenteve te Prishtina në Histori.
-
61
Arkivi i Prishtinës, BOA. A. MKT.MHM. 271. 63. Duket se në pjesën e fundit të jetës së tij ka shërbyer si mytesarif i Serres, afër Selanikut në Greqi. Një koloni e shqiptarëve të Prishtinës atje është e dëshmuar edhe nga një mbishkrim i një libri që ndodhet në Arkivin e Kosovës (khs. Islami 2021, 171; Mehmeti 2004, 497–501).
-
62
Në vitin 1872 po figuron si ndërtues i shkollës së mesme në Prishtinë ish-mytesarifi i Sirrozit, Abdurrahman Pasha, khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MF. MKT. 6. 21. Është dhe e mundur që në këtë periudhë s’ka vdekur, veçse është larguar nga posti. Por bazuar në faktin shënime të mëpasme për të nuk kemi gjetur, duhet besuar tashmë veçse kishte ndërruar jetë.