Përgjithësisht, Prishtina nuk është qytet shumë i vjetër. Kjo vlen nëse s’na duken shumë afro 700 vjet, aq sa i ka nga paraqitjet e para. Anipse një dokument themeltar për qytetin nuk ka mbijetuar, nga gjurmë tjera dokumentare mund të supozojmë të jetë krijuar diku në dekadat e fundit të shekullit XIII, bashkë me shumë ngulime të ngjashme që janë paraqitur pas ardhjes së minatorëve saksonë në Ballkan.1
Dokumenti më i vjetër që e përmend emrin Prishtinë është nga një dokument që vjen prej Manastirit të Banjskës, afër Mitrovicës, i datuar mes viteve 1315–1318, në të cilin kalimthi përmendet “rruga e Prishtinës, ndërmjet Plemetinit e Priluzhës” (shiko: Dokumenti 1). Fshatra këto që edhe sot ndodhen në po atë vend. Në këto dekada të para edhe herë të tjera përmendet qyteti me këtë emër, përfshirë në krisobulën e Graçanicës të vitit 1330–1321 (Dokumenti 2), e në një dokument anonim nga Dubrovniku, ku flitet për një taksë të disa tregtarëve të këtij qyteti që duhej paguar në Prishtinë (Dokumenti 3). Vetëm në vitin 1342 Prishtina shfaqet me ndonjë përshkrim edhe për vetë strukturën ‘urbane’ që ka (Dokumenti 5). Në këtë shënim të kujtimeve të perandorit bizantin Jan Kantakuzenit (1292–1383), qyteti shfaqet i pamurosur, por me një rezidencë të një sunduesi rajonal. Pas kësaj date, vendbanimi Prishtinë vjen e shpeshtohet në shënimet arkivore, kryesisht në ato raguzane (të Dubrovnikut), qyteti-republikë prej të cilit duket se prej kohësh kishte zbarkuar një komunitet i vogël tregtarësh në këto anë.2 Ka bazë të mëtohet se Prishtina është themeluar pikërisht prej dinamikave tregtare mes saksonëve të Novobërdës, tregtarëve nga Dubrovniku dhe banorëve të vendit. Veçanërisht dinamikat e bashkëpunimit saksonë–raguzanë, ku të parët kanë gjeneruar prodhimin e të dytët tregjet, kanë nxitur krijimin edhe të disa ngulimeve tjera të kësaj kohe, prej të cilave mund ta përmendim Novobërdën, Bërskovën dhe Zveçanin.3 Por Prishtina ishte vendbanim partikular, sepse nuk ishte qendër minerare, e as nuk mund të klasifikohej lehtësisht si fshat apo as si qytet.4 Kantakuzeni në shënimin që përmendëm e konsideron Prishtinën si κώμη (komi), që nuk është as fshat, e as qytet; por vendbanim i pafortifikuar (siç përkthehet zakonisht). Autorë të ndryshëm propozojnë emërtime si ‘stacion’5 ose ‘treg’6 për një vendbanim të tillë të krijuar në këtë periudhë. Përderisa fshatrat karakterizoheshin me veprimtari gati ekskluzivisht blegtoriale, kurse qytetet kishin aktivitet tregtar, e me zanatlinj, e me fortifikim; komiet kishin zanatlinj dhe treg, por jo mure e fortifikim.7 Edhe ishin më afër fshatrave sa i përket numrit të banorëve. Ato dëshmi të pakta që kanë mbijetuar nga kjo periudhë, provojnë relativisht bindshëm se Prishtina ishte një vendbanim i tillë. Në regjistrimin e parë të qytetit të Prishtinës nga autoritet osmane në vitin 1477, aty dalin jo më shumë se 1,700 banorë.8 E një dekadë më vonë, edhe më pak se kaq.9 Një vendbanim me 1,700 banorë, e pa mure rrethuese mbase nuk mund të konsiderohet qytet në kuptimin e sotëm të fjalës. Kur në vitin 1479 novobërdasi Martin Segoni flet për Prishtinën, ai e përmend atë si fshat i madh (Dokumenti 14).
Numri i banorëve të Prishtinës është rritur nga mesi i viteve 1500, kur qartazi na shfaqet si ‘qytet’ me rreth 3,000 banorë.10 Më shumë se gjysma e këtyre banorëve, të shtrirë në 20 lagje, për herë të parë shfaqen si myslimanë. Për më shumë, një shekull më vonë, në përshkrimet e vitit 1660, Prishtinës i katërfishohet popullata në rreth 10,000 banorë (Dokumenti 27). Në këtë kohë jo vetëm që etablohet si qendër urbane, por përmes tregut me vendet tjera imponohet si qendër me rëndësi për rajonin (Dokumenti 25 dhe 32). Është pikërisht në këto dekada kur forcat e dinastisë habsburgase të Leopoldin I, nga Vjena, e përfshijnë edhe Kosovën në territoret e përfituara nga Perandoria Osmane. Prishtina bëhet kryeqendër e Kosovës së Habsburgëve, dhe të paktën sipas njërit dokument, në vjeshtën 1689 njëfarë inxhinjeri me emrin Bafet de Comos angazhohet për të bërë një hartë të qytetit, dhe për të realizuar planet e fortifikimit të tij.11 Nuk dihet çka ka ndodhur me këto plane, nëse janë realizuar, por kjo është referenca më e hershme e çfarëdo planifikimi urbanistik të Prishtinës. Dominimi imperial i Habsburgëve ka zgjatur pak muaj, dhe menjëherë në fillim të vitit 1690 Perandoria Osmane e rikthen Prishtinën (dhe Kosovën) nën administrimin e saj. Anipse, qysh e shohim nga dokumentet, popullata e ikur hezitonte të kthehej për shkak të skamjes dhe kriminalitetit në rritje që ka mbizotëruar më pas.12 Prishtina është goditur edhe nga murtaja, çka dëshmohet po ashtu në disa prej fragmenteve të botuara në këtë vëllim (Dokumenti 22, 33, 41, 52, 62) e më e fundit prej tyre e vitit 1836 (nëse i besojmë vizitorit frëng Ami Bues në dëshminë e tij) ka gllabëruar madje 60% të popullatës (Dokument 82).
Me gjithë dëshirën që të përfshijmë sa më shumë të dhëna nga jeta shoqërore e Prishtinës, materialet dokumentare ishin krejt të pakëta për të na dhënë një pasqyrë të mirë në këtë drejtim. Sidoqoftë, janë me interes dokumentet rreth lojërave kalorësiake të vitit 1436, prej të cilave e kemi botuar një (Dokumenti 11), apo mbi shitblerjen e një skllavi 2-vjeçar me emrin Lluka (Dokumenti 12), e deri te të dhënat e regjistruara ekonomike të qytetit të Prishtinës nga viti 1569 (Dokumenti 18). Me interes në këtë aspekt është edhe një konstest gjyqësor rreth një mulliri në vitin 1736 (Dokumenti 54). Çështjet që kanë të bëjnë me fenë, janë më mirë të dëshmuara. Prishtina provohet se ka pasur kishë katolike të paktën para vitit 1387,13 dhe është e mundur edhe një kishë ortodokse të paktën para vitit 1393 (Dokumenti 8). Këto kisha duhet të kenë qenë jashtë qendrës së qytetit, dhe jo brenda saj, përndryshe do të ishte shumë e besueshme që ndonjëra prej tyre të jetë konvertuar në xhami më vonë.14 Por kjo, të paktën nga se mund të vërehet prej arkitekturës, nuk ka ndodhur në Prishtinë. Prandaj këto kisha do besuar ishin diku në periferi të qytetit. Në atë kohë qyteti ende s’e kishte madhësinë që të përfshinte nën emrin e vetë gjithë rajonin, prandaj dhe s’mund të kenë qenë shumë larg. Kisha katolike mbante emrin e Shën Premtes (Dokument 29), kurse ajo ortodokse Shëlbumi i Krishtit.15 Osmanët kishin pasur kontroll të përkohshëm të qytetit në kohën e Muratit I dhe pak pas tij (1389), pastaj në kohën e Muratit II, viti 1422, prej kur të paktën njëra prej xhamive kryesore të Prishtinës ka dëshmi se është jetësuar; ajo e çarshisë, që duhet të jetë edhe zona më e vjetër e qytetit. Dëshmi që kjo xhami i ka të vëna themelet që në vitin 1389 vjen nga një mbishkrim në xhami që duket të jetë krejt i vonshëm, madje nga viti 1905 (Dokumenti 101). Në këtë rast autenticiteti i këtij pohimit mbetet vështirë për t’u verifikuar, por megjithatë nuk është vënë në dyshim nga ndonjë studiues deri më tash, përveç ndonjë përjashtimi.16 Në anën tjetër, xhamitë dhe jeta e udhëheqësve fetarë myslimanë është, mbase, më së miri e ruajtur nëpër dokumentet arkivore. Prej atyre që janë sjellë në Prishtinë, një pjesë e mirë flet për emërimet, zëvendësimet dhe veprimet e klerit mysliman. Prej tyre, këtu i kemi botuar veçanërisht disa nga shekulli XVIII, i cili deri tash mbetet më së paku i njohur (Dokumentet 53, 56–57, 60–61).
Qysh mësojmë këtu, vitet e para të shekullit XVIII gjithsesi karakterizohen me aktivitete që flasin për rindërtimin e jetës dhe të rikthimit të popullatës në qytet. Qysh në vitin 1695 shohim se popullata e qytetit ka nisur të rikthehet në Prishtinë, anipse, jeta aty është e vështirë nga taksat e larta, mungesa e mundësive për punë, e nga sulmet e shumta të banditëve. Qysh e thotë vetë letra:
Për gjendjen tonë e kemi njoftuar shtetin e lartë (osman), i cili ka mëshirë dhe krijon kushte sigurie në vendin tonë... ka dy vjet që në qytetin tonë mbretëron thatësi dhe shtrenjtim i madh, (madje) jemi të privuar që drithërat dhe ushqimet t’i marrim nga vende të tjera. Gjendja jonë është e vështirë edhe për shkak të hajdutëve dhe bandave që po sulmojnë edhe këtë vit. Andaj kërkojmë që t’i përgjigjeni kërkesave tona që të dërgoni njerëz specialë për të krijuar siguri në qytetin tonë.17
Duket se një situatë e tillë qysh herët e kishte nxitur Sulltanin që të merrte masa për rregullimin e gjendjes, duke urdhëruar krijimin e një punishteje të leshit në qytet më 1699, e cila, megjithatë, nuk e dimë nëse ndonjëherë është krijuar (Dok. 51). Sidoqoftë, disa dekada më vonë Prishtina gjithsesi figuron si një qendër që eksporton lesh. Kurse një sipërmarrje ‘Zagradije’ figuron aty në të dhëna arkivore qysh nga mesi i shekullit XVIII. Një prej dokumenteve të para të shekullit të ri flet për emërimin e një ligjëruesi të ri në xhaminë e Sulltan Mehmetit në qendrën e qytetit.18 Që tregon për një kthim në normalitet. Por ky normalitet duhet të paramendohet i brishtë, ngase të dhënat e pakta nga kjo periudhë nuk lejojnë që të vijmë në ndonjë përfundim të sigurt në ato vitet e para të këtij shekulli. Në fakt, qysh në gushtin e një viti më vonë, pra më 1702, në Prishtinë raportohet se mbretëronte murtaja (Dok. 52). Ndërkohë që një dokument i vitit 1707 tregon se banorëve të Prishtinës u është falur borxhi,19 çka tregon se kërkesat drejtuar Portës së Lartë për përmirësim të kushteve kanë vazhduar edhe më tutje.
*Fragment nga hyrja në vëllimin e parë të shtypur të Prishtina në histori, f. 23-32.
-
1
Skender Rizaj, Rudarstvo Kosova i susednih krajeva od XV do XVII veka, (Prishtinë, 1968); Për rolin e saksonëve në minierat e Ballkanit shih Mihailo Dinic, Za istoriju rudarstva u srednjovjekovnoj Srbiji i Bosni, vol. 1 (Beograd 1955); Për origjinën e Prishtinës shih: Jahja Drançolli, “Raguzanët në Prishtinë gjatë shekujve XIV–XV”, në Vjetari (1984), f. 9–25; Skender Rizaj, “Prishtina gjatë shekujve XVII–XIX”, në Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, 27 (1988) 18, f. 87–109; Më rishtazi: Durim Abdullahu, “Në gjurmë të origjinës së Prishtinës”, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori, (2024), Qasur më 10.07.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/224/ne-gjurme-te-origjines-se-prishtines
-
2
J. Drançolli, Raguzanët..., 9–25; Shih edhe: Desanka Kovacevic-Kojic, “Pristina u srednjem vjeku”, Istorijski casopis, 21 (1975), f. 45–74; Kosta Kostic, “Trgovski centri i drumovi”, Beogradske Opstinske Novine, 5 mars 1900, nr. 11, viti 18, f. 41–44.
-
3
Konstantin Jireček, Die Handelsstrassen und Bergwerke von Serbien und Bosnien wahrend des Mittelalters: Historisch-geographische Studien, (Pragë: Gesellschaft der Wissenschaften, 1879), f. 41–58; Mihailo Dinic, Za istoriju rudarstva u srednjovjekovnoj Srbiji i Bosni, vol. 2 (Beograd 1962), sipas ribotimit në vitin 2003; Për Novobërdën shih edhe: S. Rizaj, Rudarstvo Kosova...; Skënder Rizaj, “Novobërda gjatë shekujve XV dhe XVI”, Vjetar i Arkivit të Kosovës 20 (1985), 109–154; Më rishtazi: Božidar Zarković, “Mining Marketplaces: Exponents of Urban Development of Medieval Serbia”, në Zbornik radova Filozofskog fakulteta u Pristini, 3 (2021), f. 71–91.
-
4
B. Zarković, Mining Marketplaces..., 81–83.
-
5
Khs. D. Abdullahu, Në gjurmë...
-
6
B. Zarković, Mining Marketplace..., 71–91.
-
7
Po aty.
-
8
Iliaz Rexha, Regjistrimi i vendbanimeve dhe I popullsisë albane të Kosovës (sipas Defterëve osmanë të shekullit XV), (Prishtinë: Instituti i Historisë, 2016), f. 322–323; Adem Handzic, “Nekoliko vijesti o arbanasima na Kosovu i Metohiji sredinom XV vijeka”, Simpozijum o Skenderbegu, Prishtinë (1969), f. 201–209; Në këtë regjistrim nuk shënohet numri i saktë i banorëve, por vetëm ai shtëpive 329, të cilën po ta shumëzojmë me 5, që është një mesatare për familje që merret në këtë kohë e marrim numrin e mësipërm. Ndërkohë, autorë të tjerë nxjerrin edhe numra të tjerë të përafërt, për shembull sipas A. Islamit ky numër është 1,450, khs. Agron Islami, “Prishtina gjatë kohës osmane (1455–1912)”, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori, 1 (2024). Qasur më 12.07.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/140/popullsia-e-kazase-se-prishtines
-
9
I. Rexha, Regjistrimi..., f. 351.
-
10
Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI: studime dhe dokumente, (Tiranë: 8 nëntori, 1983), f. 521–532. Në këtë defter osman jepen edhe emrat e kryefamiljarëve, por jo emrat e gjithë popullatës. Pra, edhe këtu është nxjerrë një mesatare për familje prej 5 banorëve për shtëpi, si në regjistrimin paraprak që kemi përmendur.
-
11
Yll Rugova, “Tri letra të Pikolominit gjatë fushatës ushtarake habsburgase në Kosovë (1689)”, Studime Historike, 61 (2024) 1, 27–52; Tomo Tomoski, “Eden izguben dokument za avstriskata vojna vo Makedonija vo 1689. godina”, Godishen zbornik na Folozofskiom fakultet, 15 (1963), 122.
-
12
Mbi këtë çështje kemi botuar këtu disa dokumente, prej të cilave disa janë për herë të parë, shih Dokumentet 34–50. Një pjesë e tyre mund të konsultohen edhe me origjinalet e transkriptuara te Y. Rugova, Tri letra..., 217–241.
-
13
Khs. J. Drançolli, Raguzanët..., f. 10.
-
14
Sipas I. Rexhës në defterin osman të viti 1477 në Butovc të Prishtinës është regjistruar një manastir ortodoks: “Manastiri i Butovcit, Bogorodic dhe me emrin tjetër, Manastiri i Vjelushës (Manastir-i Vjeljusha), shtëpi 1, mullinj hassa 1”, shih I. Rexha, Regjistrimi..., 322–323.
-
15
Dokumenti serb të cilin e kemi botuar këtu nuk është krejtësisht i sqaruar në aspektin e origjinës dhe autenticitetit, për çka kemi dhënë ca sqarime te burimi i vetë dokumentit (Dokumenti 8). Përderisa manastiri ortodoks pranë Prishtinës njihej me emrin e ‘Bogorodicës’ (lat. Veneranda, shq. Premtës apo gr. Paraskevi), kisha brenda manastirit ka mundur të ketë emër tjetër.
-
16
Rahman Sahin, ‘Pristine’de Bir Camii: Çarsi Camii, Cami-İ Sagir Veya Küçük Fatih Camii’, A. Temizer (Red.) 8th International Symposium On Balkan History Studies, Culture, Architecture And Art In The Balkans (September 1st-4th, 2022, Istanbul/Türkiye), Lyon (2022), 125–140.
-
17
Arkivi i Prishtinës, BOA AE.SAMD.II. 5/440, data 27 maj 1695. (Përkthimi: Agron Islami)
-
18
Arkivi i Prishtinës, BOA AE.SMST.II. 137/15138, data 6 maj 1701.
-
19
Arkivi i Prishtinës, BOA D.MKF.d. 27925, datë 16 korrik 1707.