Kërko
Pas shkatërrimit të parë nga fundi i shekullit XVII, dhe pas shenjave për rizhvillim në fund të viteve 1700, Prishtina ishte shkërmoqur përsëri në mesin e shekullit XIX. Goditja e parë dhe më e fuqishme vjen në vitin 1838 nga murtaja që kishte zhdukur një pjesë të madhe të popullatës.1 Sipas disa raporteve gati dy të tretat e gjithë popullatës së qytetit. Por, s’kishte qenë vetëm murtaja faktor për këtë valë shkatërrimi. Ndryshimet e mëdha gjeopolitike pas krijim të shteti grek në jug, e revoltës serbe në veri kishin dobësuar edhe pozitën e shqiptarëve që përbënin shumicën e popullatës në Kosovë. Gjatë vitit 1844 qyteti ishte vënë në duar të forcave të ndryshme disa herë. Së pari kryengritësit e Dervish Carës Prishtinën e kanë përfshirë në mesin e qyteteve nën kontroll të tyre.2 Disa muaj më pas, në tetor forcat e Omer Pashës së Ulqinit e kanë kthyer atë nën administrimin e Portës,3 duke ia dorëzuar Abdurrahman Pashës. Veçanërisht pas vitit 1845 kur Abdurrahman Pashë Gjinolli largohet nga pozita e kajmakamit të Prishtinë, qyteti humbet peshën e vetë politike.4 Në nëntor 1852 Prishtina përfundimisht kthehet nga kajmakamllëku në drejtori, duke u dobësuar tutje për nga rëndësia.5 Rimëkëmbjen qyteti e ka filluar vetëm në vitin 1878 kur është bërë kryeqendër e Vilajetit të Kosovës.
Të dhënat arkivore në fakt konfirmojnë se popullata ishte zvogëluar ndjeshëm mes vitit 1831 dhe 1844. Shih tekstin e shkurtë rreth shkatërrimit të parë (1689–1699), dhe tekstin rreth murtajës në Prishtinë; Gjithashtu Ami Boué (1838) te Dokumentet.
Arkivi i Prishtinës, BOA. C. DH. 111/5512, datë: 12 maj 1844.
Edward Henry Michelsen (1853). The Ottoman Empire and Its Resources. Londër: Simpkin, Marshall. f. 80.
Shih tekstin për Abdurrahman Pashë Gjinollin.
Arkivi i Prihstinës, A. MKT. NZD. 66/41, datë 24 nëntor 1852.
Lexo edhe
Xhamitë e Prishtinës dhe besimi fetar× Thirrje: Prishtina në histori është në versionin fillestar testues alfa. Keni gjetur diçka në këtë qerthull që s’ju duket se po funksionon si duhet? Na shkruani [email protected]